Nga Agim Morina
Në Britani nuk mund të ndodhë që të vijë ndonjë matrapaz klerofashist rus, të ulet në ndonjë televizion britanik e të thotë se bashkëshortja e kryeministrit britanik punon dhe merr rrogë në Moskë. Sepse, sapo do ta kishte thënë këtë, ai televizion do të dënohej ose me dënim financiar të papërballueshëm, ose me mbyllje të plotë. Në Britani nuk ka demokraci për përhapës lajmesh gebellsiane, nuk ka liri të medias për shpifës klerofashistë e agjentë të luftës hibride – në këtë rast, të Rusisë. Aq më pak mund të lejohet që, pasi një shpifarak klerofashist ka përhapur një lajm të rremë si pjesë të luftës speciale, të ftohet prapë në të njëjtin televizion e të thotë se një oficer i policisë britanike – që është vrarë nga rusët dhe është shpallur Hero i Kombit në Britani për sakrificën e tij – “nuk është vrarë”.
Në Britani nuk mund të përcjellësh konferencën e drejtpërdrejtë për shtyp të Putinit me përkthim simultan, por në Kosovë ish-ministrin kriminel të Millosheviqit, tash kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin – që dje ka vrarë e sot shan e kërcënon shqiptarët – e shfaqin drejtpërdrejt dhe të plotë në disa televizione të Kosovës, si të ishin ato televizione të Serbisë.
Për shumë më pak se kaq, vetëm për lajme që ishin qartësisht pro-ruse, kanali RT (“Russia Today”) u ndalua në Britani (dhe në shumë shtete të tjera europiane). Dhe asnjë organizatë, as shtetërore, as ndërkombëtare, nuk doli e nuk u ankua se në Britani paska rrezikim e kufizim të “lirisë së medias” pas këtij ndalimi.
Është e qartë: për me pasë liri të medias, duhet me pasë media të lira. Media të lira nuk mund të ketë nëse ndonjë oligark i Gjermanisë, që ka në pronësi ndonjë televizion, ka pasaportë ku shkruan “Berlin, Rusia”.
Dhe ajo që nuk mund të ndodhë askund në botë, ndodhi në televizionin “Klan Kosova”. Njëfarë Branislav Krstiq, që shfaqet si gazetar, duke shpifur në televizionin “Klan Kosova” në mes të Prishtinës, tha se Afrim Bunjaku “nuk është vrarë”. Pra, në një anë Milan Radoiçiqi me bandën e tij kriminale vjen e vret policin e Kosovës, ndërsa Krstiqi del e shpall se ky polic nuk është vrarë. Kjo qenka “liri e medias”.
Ky Krstiq ishte po ai që në nëntorin e vitit 2024 përhapi lajmin e rremë se kinse bashkëshortja e kryeministrit Kurti, Rita Augestad Knudsen, punon e jeton në Beograd. A ka kush që mund të besojë se Krstiqi nuk e paska ditur një fakt kaq të thjeshtë: që bashkëshortja e kryeministrit Kurti as nuk punon, as nuk jeton në Beograd? Atëherë, pse një përhapës i tillë i rrenave dhe i propagandës klerofashiste të Serbisë ftohet në programet e Klan Kosovës apo edhe të cilitdo televizion tjetër në Kosovë? Për këtë arsye nuk duhet me u habitë kur një qytetare e Kosovës, drejtpërdrejt në televizion, refuzon t’i japë deklaratë gazetares së Klan Kosovës duke i thënë: “Nuk i jap deklaratë Klan Serbisë.” Deri këtu ka ardhur puna.
Kurrkund, në asnjë vend të botës, nuk ka këso “lirie të medias”. Parulla e këtillë po shfrytëzohet maksimalisht për të kanalizuar lirisht lumin dhe llumin e lajmeve të rreme, si pjesë tejet e rrezikshme e luftës speciale kundër shqiptarëve. Kjo bëhet për të shkaktuar huti dhe mosbesim mes qytetarëve të Kosovës ndaj qeveritarëve të shtetit të tyre, për të nxitur konflikte brendashqiptare, për të ngritur tensione dhe për të çuar në luftë vëllavrasëse.
Prandaj mbetet fakt: në Kosovë nuk ka liri të medias, për aq sa nuk ka media të lira. Por jo ngaqë këtë liri po e kufizon dikush – qoftë nga qeveritarët, qoftë nga kushdo tjetër. Mediat në Kosovë dhe në Shqipëri janë të prangosura prej vartësisë nga oligarkët, nga bandat e ndryshme dhe nga qendra të dyshimta që nuk ua duan të mirën shqiptarëve. Sapo të çlirohen këto media nga kjo vartësi, liria e medias do të shfaqet me krejt madhështinë e saj – liri që e ka vetëm në Kosovë e Shqipëri, dhe askund tjetër.