Gazetari dhe analisti, Armand Shkullaku, shkroi në rrjetet sociale se kryeministri po sulmon kritikët e sondazheve nga frika se zgjedhësit do të votojnë ndryshe nga përfundimet e tyre.

Sipas Shkullakut, mllefi i Edi Ramës ndaj kritikëve të sondazheve tregon qartë pasigurinë e kryeministrit para datës së zgjedhjeve.

“Në ditët e fundit të fushatës, Edi Rama po shpërfaq një të papërmbajtshëm mllef ndaj kujtdo që vë në pikëpyetje rezultatet e sondazheve që e nxjerrin atë dhe Partinë Socialiste fituese. Ky shkulm kundër komentuesve dhe gazetarëve, të lirë për t’i analizuar sipas këndvështrimit të tyre shifrat elektorale, ndonëse i palejueshëm, mund të kuptohej nëse do të vinte nga opozita. Por jo. Ai buron nga koka dhe goja e kryeministrit, duke lënë shijen e një lajthitjeje mbi objekt.

Pse e shqetësojnë Edi Ramën komentet mbi sondazhet, kur ato që kanë rëndësi janë shifrat elektorale? Normalisht, do të duhej të ndihej i qetë për sa kohë anketimet janë në përputhje me pritshmëritë e tij. Ai thotë se do të korrë një fitore historike, madje e ka projektuar me atë të vitit 1997, kur ai ishte emigrant në Francë, dhe shifrat larushane në shumë ekrane e mbështesin optimizmin e tij. Rama thotë se sondazhet paraqesin realitetin, se ai nuk ka kundërshtarë, se është i vetmi që shqiptarët i besojnë, etj. Atëherë, përse duhet t’i acarojë nervat delikate me ata që vënë në pikëpyetje shifrat, kur ai vetë e di rezultatin?

Duke lënë mënjanë probabilitetin e lajthitjes, logoreja e kryeministrit kundër gazetarëve, para syve të çmeritur të qytetarëve, mund të shpjegohet me faktin se ai është i ndërgjegjshëm se çfarë janë ato sondazhe dhe se çdo analizë objektive e tyre ia rrëzon propagandën e qeverisjes së suksesshme. Për të mos folur për ato ekrane që dikur bënin anketime se italianët donin për kryeministër Edi Ramën, edhe sondazhet që nisen nga premisa profesionale paraqesin anomali serioze. Këtë Rama e di shumë mirë, prandaj i prishet qetësia kur i tregojnë – se ai vetë thotë se nuk i sheh – komentet që bëhen për shifrat e tij elektorale.

Një shoqëri që, kur testohet nga sondues ndërkombëtarë për çështje jo politike, rezulton më e pakënaqura në rajon me qeverisjen, dhe pastaj goxha më e kënaqur kur pyetet në prag të zgjedhjeve nga anketues lokalë, dëshmon frikën dhe pasigurinë e kësaj shoqërie që qeveriset në mënyrë arbitrare për 12 vjet nga një njeri i vetëm. Kryeministri e di që sondazhet, ndonëse i shkojnë sipas midesë, nuk e kapin këtë deformim të një shoqërie që nuk është e lirë dhe që nuk lejohet të votojë e lirë. Shqetësimi i tij lidhet pikërisht me faktin se çdo koment, analizë apo kritikë që e vë në pah këtë deformim, mund të zgjojë kundërreagim të qytetarëve. Frika dhe pasiguria nuk mund të zgjasin përjetësisht.

Rama me shumë gjasë i trembet një hakmarrjeje të heshtur në kutitë e votimit. Atë që njerëzit nuk guxojnë ta thonë përballë një intervistuesi, mund ta realizojnë me një shenjë mbi fletën e votimit. Nevoja për të vrarë frikën e tyre mund të shndërrohet në akt për të vrarë sundimin e gjatë të një njeriu. Dhe sa më shumë zëra dëshmojnë presionin me vende pune, me para, me banditë, me premtime e mashtrime, me propagandë e kërcënime, aq më i dukshëm bëhet deformimi i vullnetit të votuesve. Prandaj kryeministri nuk ka si gjen qetësi tek shifrat e sondazheve, për sa kohë është i vetëdijshëm se ato janë fryt i një regjimi autokratik dhe jo rezultat i një qeverisjeje të mirë.

Atij i dhembin më shumë komentet sesa e ledhatojnë sondazhet, për faktin e thjeshtë se në fund të 12 viteve, jo vetëm kundërshtarët, por edhe socialistët kanë gjithë të drejtën e botës për një hakmarrje të heshtur. Në tre palë zgjedhje ata votuan si socialistë dhe morën në këmbim hajdutë e banditë që bënë kërdinë me taksat e tyre. Votuan për një model të majtë, për më shumë barazi e solidaritet, dhe për mbi një dekadë numërojnë vilat dhe sarajet e qeveritarëve, milionat për veshje e udhëtime, shishet e verës dhe koshat e NBA-së, ku sheik-kryeministri socialist argëtohet me familjen. A kanë ata të drejtë të hakmerren, qoftë edhe pa bërë zë, kur të shkojnë në kutitë e votimit?

Po ata prindër që u ka vajtur dinjiteti në fund të këmbëve, duke iu lutur fëmijëve të tyre të votojnë për një vend pune, për një rrogë arsimtari, për një leje legalizimi apo një pension invaliditeti? Po ata që nuk guxojnë të ngrenë kokën kur përfaqësuesi kokëgdhë i rilindjes i kërcënon me bukën e përditshme? A munden këta një ditë të vendosin që, të paktën në heshtje, ta groposin frikën dhe të marrin hak?

Qytetarë që ndëshkojnë me votë qeveritë e tyre kur nuk përmbushin premtimet – e aq më tepër kur abuzojnë e vjedhin – janë normalitet në çdo shoqëri demokratike. A mund të ndodhë kjo këtë herë edhe në Shqipëri, ashtu heshtur dhe pa zhurmë, siç po mbyllet dhe vetë fushata elektorale?

Kjo është pyetja që ia prish gjumin Edi Ramës, dhe nuk ka sondazh që t’i shërbejë si somnifer. Pikën kur pakënaqësia popullore mund të bashkohet me nevojën për ndëshkim, në një shoqëri të nënshtruar, është vështirë të parashikosh. Prandaj komforti i sondazheve nuk e mposht dot akthin e hakmarrjes së heshtur. Rama bërtet për të marrë zemër nga zëri i vet,” – shkroi Shkullaku.

By Editor