Nga Xhevat Mustafa

Kur mësoi se Edi Rama “kishte fituar” më 11 maj 2025 mandatin e katërt radhazi, kancelari i porsazgjedhur i Gjermanisë, Friedrich Merz, në ditën e Samitit të Komitetit Politik të BE-së në Tiranë, më 16 maj, u habit së tepërmi. Këtë ai e shprehu në mimikë dhe me gishta. Habia apo çudia e tij shpreh se sa i ndjekin zhvillimet në Shqipëri ai dhe të tjerë liderë të vendeve kryesore të BE-së! Njëkohësisht, edhe se sa mashtron Edi Rama, duke u mbushur trutë shqiptarëve të sojit e llojit të tij partiak se “Shqipëria është përditë e më shumë në sytë, mendjet dhe zemrat e BE-së…”!?

Gjykoj me bindje se kancelari i ri gjerman nuk ka as trutë dhe as ambiciet e kryeministrit të Shqipërisë për të qëndruar në fron deri në frymën e fundit, si Enveri! Shembulli dhe përvoja e pakëndshme e paraardhësit të tij, Olaf Scholz, që dha dorëheqjen pa e arritur ditën e fundit të mandatit të parë, e kanë bërë të mendojë se duhet të jetë i lumtur nëse mbetet në post deri në fund të mandatit të parë! Akoma më i lumtur, nëse mandatin e dytë e fiton dhe e çon deri në fund!

Sepse, është e nënkuptueshme: Gjermania ka POPULL, e jo “popull”, si Shqipëria! Apo se Gjermania zhvillon ZGJEDHJE DEMOKRATIKE E TË NDERSHME, dhe jo si Shqipëria e Edi Ramës, që mashtron botën me gjasme zgjedhje! Për më keq, që i shndërron ato në vjedhje votash, maskaradë e masakër elektorale në mes të ditës dhe nën hundën e KQZ-së, SPAK-ut, Policisë, komisionerëve dhe vëzhguesve shqiptarë e ndërkombëtarë, sidomos të OSBE-ODIHR-it…!

By Editor