Në një analizë të publikuar nga CNN mbi këngët më të spikatura të Eurovision 2025, përfaqësuesit e Shqipërisë, Shkodra Elektronike, janë përshkruar si “ndoshta çifti më i pazakontë i këtij viti” – por pikërisht kjo veçanti mund t’i çojë drejt një fitoreje të papritur.
Duoja, që përbëhet nga një producent me paraqitje të fortë dhe një vokaliste enigmatike me një stil teatror, vjen me këngën “Zjerm” – një përzierje mes elektronikës moderne dhe frymës tradicionale ballkanike. Teksti i këngës flet për një vend të qetë dhe të pastër, larg kaosit dhe arrogancës së jetës urbane. CNN e përmend këtë si një “pamje idealiste”, por tërheqëse në mënyrën si paraqitet artistikisht.
Pavarësisht suksesit të tyre, dyshja nuk janë ndjekës të zjarrtë të Eurovisionit. Në një deklaratë për CNN, këngëtarja Beatriçe Gjergji thotë hapur:
“Jo, nuk jemi aspak fansa të Eurovision-it. Nuk është lloji ynë i muzikës.”
Megjithatë, pikërisht kjo distancë nga formula klasike e festivalit i jep projektit një frymë të freskët. CNN vëren se mungesa e një qëndrimi klishe apo të sforcuar e bën performancën e tyre të dallohet.
“Nuk ka asgjë tjetër si kjo në konkurs këtë vit – dhe kjo është arsyeja pse po fitojnë gjithnjë e më shumë vëmendje nga fansat,” shkruan CNN.
Përkundër mungesës së përvojës në këtë lloj skene, emocioni është i ndjeshëm. Gjergji pohon:
“Emocionet janë të mëdha, skena është e madhe, edhe presioni… është i madh.”
CNN nuk përjashton mundësinë që Shqipëria këtë vit të shkojë përtej çdo pritshmërie, duke theksuar se në një konkurrencë më të dobët se zakonisht, Shkodra Elektronike mund të sjellë një fitore të madhe për vendin.
Në fund, Beatriçe shton me bindje:
“Nëse beson në llojin e muzikës që do, ndoshta mund të ndodhë diçka e jashtëzakonshme.”
Dhe ndoshta, ky do të jetë viti kur Shqipëria bën historinë në skenën më të madhe muzikore të Evropës.