Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti paralajmëroi një valë shkarkimesh dhe dorëheqjesh të atij që ai e quajti zinxhiri i përgjegjësve lidhur me krimin makabër të vrasjes së një gruaje shtatzënë nga ish-bashkëshorti i saj. Krimi i ndodhur mbrëmë në Prishtinë, tronditi mbarë opinionin publik, ndërkohë që të shumtë ishin dhe zërat që i kërkuan Albin Kurtit të ndërmerrte veprime për përgjegjësit institucional që dështuan në parandalimin e këtij krimi.
Postimi i Albin Kurtit në profilin e tij në Fejsbuk:
Zinxhiri që duhet (dorë)hequr
Sot pasdite kam aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur. Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar.
I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje.