Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u tha mediave në Beograd se askush nga Serbia nuk do të marrë pjesë në Samitin e BE-së që mbahet në Tiranë me 6 dhjetor. Vuçiq e shpjegoi mospjesëmarrjen serbe si protestë ndaj heshtjes së BE-së ndaj emërimit të Nenad Rashiq si ministër për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës. “Më mirë të mos jem sesa t’ua dorëzoj në duar. Nuk do t’ua dorëzoj. Askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë me 6 dhjetor. Nenad Rashiq nuk e gëzon besimin e askujt në Kosovë, por ai ka besimin e Albin Kurtit dhe të perëndimit të cilët me këto veprime mendojnë se mund të frikësojnë Serbinë.”—tha Vuçiq.

Nenad Rashiq u emërua si ministër në qeverinë e Kosovës pas largimit nga ky funksion i Goran Rakiq. Rakiq dhe Lista Serbe vendosën largimin nga institucionet e Kosovës si formë proteste ndaj masave të qeverisë së Kosovës për çështjen e targave. Me 23 nëntor, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për çështjen e targave çka solli ulje të tensioneve, por Beogradi vijon të sulmojë çdo serb të Kosovës që pranon një funksion zyrtar në Kosovë pa marrë paraprakisht miratimin dhe pa patur besimin e Beogradit zyrtar.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *