Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme si i pandehur për çështjen “Partizani”.
Pas daljes nga godina, kreu i Partisë Demokratike lëshoi sërish akuza të forta ndaj kësaj strukture dhe drejtuesit të saj, Altin Dumani.
Sipas Berishës, SPAK-u është një strukturë me paga ndër më të lartat në Ballkan, por në prapaskenë, sipas tij, merret me pazare me pjesëtarë të krimit të organizuar.
“Kjo zyrë shtetërore, që paguhet me rrogat më të larta në gadishullin e Ballkanit, e ka këtë ‘meritë’ sepse bën pazare me kriminelët. Do ta shpallim seksion të kartelit të Troplinit. Në shënimin që i lash Altin Troplinit, e informova se nga sot e tutje, Dumanin do ta quajmë Altin Troplini. Kjo për arsye të forta ligjore. Sepse mbajti në zyrën e tij për 22 ditë vendimin e gjykatës për arrestimin e Pojave. Jo vetëm që e mbajti 22 ditë, por e çoi për ekzekutim vetëm pasi Xhevdeti dhe Elvisi kishin mbërritur në destinacionet e tyre, ku janë të lirë,” – u shpreh Berisha.