Gjenerali amerikan, Majk Milei, deklaronte para pak kohësh se Ukraina dhe Rusia kishin humbur respektivisht nga 100.000 ushtarë në luftën mes tyre të nisur që në 24 shkurtin e këtij viti. Shifrat e gjeneralit amerikan u rikonfirmuan dhe nga zyrtarë të lartë të BE-së, por zyrtarët ukrainas ofrojnë shifra shumë më të ulëta të humbjeve në radhët e tyre.
Mikail Podoliak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodimir Zelenski, deklaroi për mediat vendase se Ukraina deri në këtë fazë të luftës nuk ka humbur më shumë se 13.000 ushtarë. “Ne kemi vlerësime zyrtare nga Shtabi i Përgjithshëm, vlerësime zyrtare nga komandanti i përgjithshëm [Z. Zelenski] dhe ato variojnë nga 10,000 deri në 12,500-13,000 të vrarë.” – tha Polodiak.
Deklaratat e zyrtarit të lartë ukrainas nuk janë komentuar nga Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, i cili vazhdimisht ka qenë i rezervuar në dhënien e shifrave për humbjet e ukrainasve në luftë, ndërkohë që në vijimësi ka referuar humbjet e mëdha të Rusisë në frontet e luftës në disa pjesë të Ukrainës.