Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, shprehet krenar për paraqitjen e skuadrës në përballjen e fortë ndaj Serbisë, megjithatë thekson se rezultati nuk reflekton atë që ndodhi në fushë.

Pas barazimit në sfidën e shumëpritur kundër Serbisë, trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, ka dhënë deklarata ku shprehet se skuadra e tij ka zhvilluar një ndeshje të shkëlqyer në aspektin psikologjik dhe taktik, por nuk arriti të marrë fitoren që, sipas tij, e meritonte.

“Jam shumë krenar për lojtarët. Kanë bërë një ndeshje të madhe, me zemër, me përkushtim. Nuk ishte e lehtë, ishte një ndeshje psikologjike, me shumë presion dhe emocione. Publiku na mbështeti pafund dhe jam mirënjohës për këtë.”

Trajneri brazilian tregoi gjithashtu se mori përgjegjësitë e veta për zgjedhjet e bëra gjatë lojës, veçanërisht në lidhje me lojtarët që nuk ishin në formën optimale fizike.

“Unë marr përgjegjësitë e mia. Vendosa që goditjen e penalltisë ta merrte një nga lojtarët që gjithmonë luan me zemër. Gaboi, por kjo ndodh. Ai dha gjithçka në fushë, dhe kjo është më e rëndësishmja.”

Një nga shqetësimet kryesore për teknikun kuqezi ishte gjendja fizike e disa lojtarëve, veçanërisht e Armando Brojës, i cili nuk ka luajtur 90 minuta të plota prej kohësh për shkak të dëmtimeve të përsëritura.

“Për Brojën është e njëjta histori: gjithmonë i dëmtuar. Sa kohë ka që nuk ka luajtur një ndeshje të plotë? Sot provoi, në pjesën e parë ishte mirë, por u lodh shpejt. Pas 15 minutave të pjesës së dytë nuk kishte më oksigjen.”

Silvinjo theksoi gjithashtu performancën e mirë të Rei Manajt, i cili, pavarësisht se kishte kaluar një grip ditët e fundit, dha një kontribut të madh në fushë. Edhe ndryshimet gjatë lojës, sipas tij, dhanë energji pozitive, megjithëse disa lojtarë ishin tepër të lodhur.

“Manaj bëri një ndeshje të pabesueshme. Disa lojtarë erdhën nga situata të vështira fizike, disa të rinj si Hoxha që janë ende të papërvojë. Por të gjithë dhanë maksimumin.”

Në fund, ndonëse rezultati nuk ishte ai që dëshironte, Silvinjo shprehet i kënaqur për rritjen e skuadrës dhe për paraqitjen dinjitoze.

“Jam krenar. Zhgënjimi për rezultatin është i madh, por ajo që treguam në fushë, përkushtimi, disiplina dhe zemra, më bëjnë të besoj se jemi në rrugën e duhur.”

By Editor