Pas barazimit 0-0 ndaj Serbisë në një ndeshje të fortë dhe të luftuar, një nga çështjet që ngjalli interes në konferencën për shtyp të trajnerit Silvinjo ishte mungesa e Jasir Asanit në fushë. Për të dytën ndeshje radhazi, sulmuesi i krahut nuk është aktivizuar asnjë minutë, pavarësisht kontributit të rëndësishëm në fazën kualifikuese për Europian.
I pyetur për këtë vendim, trajneri brazilian u shpreh me qetësi dhe theksoi se nuk bëhet fjalë për ndonjë prishje të marrëdhënieve, por për një rritje të ndjeshme të nivelit të konkurrencës brenda skuadrës.
“Ne punojmë çdo ditë për të rritur nivelin e ekipit tonë. Kujtoj që përpara Europianit kishim 15-16 lojtarë të gatshëm për formacionin, ndërsa sot kemi 22-23, të gjithë në një nivel shumë të mirë. Kjo është arritje për Shqipërinë.”
Silvinjo vlerësoi rolin e Asanit dhe të tjerë lojtarëve në rrugëtimin drejt Kampionatit Europian, duke theksuar se kontributi i tyre ka qenë vendimtar.
“Asani, bashkë me Nedim Bajramin, na ka ndihmuar shumë për të arritur këtu ku jemi. Falë golave dhe performancave të tyre jemi në këtë kompeticion. Por tashmë kemi më shumë alternativa cilësore.”
Trajneri i kuqezinjve theksoi se vendimet për formacionin dhe minutat varen nga specifikat e ndeshjeve dhe kundërshtarëve.
“Kjo është një gjë pozitive për mua si trajner: kemi shumë stile loje dhe shumë opsione. Asani është një lojtar i veçantë – i shpejtë, me këmben e majtë, i rrezikshëm në depërtime. Por në disa ndeshje mund të jetë Broja, me fizik të fortë dhe shpejtësi, ose Uzuni. Kjo i jep më shumë paqartësi kundërshtarit.”
Në fund, Silvinjo i dërgoi një mesazh për të gjithë tifozët që duan të shohin më shumë nga Asani:
“Momentin e tij do ta ketë patjetër. Unë jam shumë i kënaqur dhe krenar për të gjithë lojtarët e mi.”