Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po vijon procesi gjyqësor për sulmin në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagos kolegu i tij, Alban Rashiti.
Tre të pandehurit po përballen me akuzat dhe dëshmitë në proces, ndërsa sot ishte radha e vetë Rashitit për të dëshmuar mbi ngjarjen e ndodhur në shtator të vitit 2023.
“Informatën e parë për një veturë të dyshimtë e kemi pranuar në orën 21:00 dhe ajo ka ardhur nga dhomat komanduese. Një veturë ishte e parkuar në një livadh dhe konsiderohej e dyshimtë nga njësia për reagim të shpejtë. Dhoma komanduese konfirmoi se për këtë veturë nuk kishte të dhëna në sistem.
Kur kemi arritur në fshatin Banjskë, më saktësisht te ura, kemi vërejtur dy kamionë të rëndë që kishin bllokuar urën. Ata ishin parkuar paralel mbi të. Fillimisht kemi vëzhguar për ndonjë aktivitet të dyshimtë, por nuk pamë persona në lëvizje. Kolegët tentuan të kontaktojnë dhomën komanduese, por kishte vështirësi me radiolidhjen, ndaj vendosëm të lëviznim në një pozicion tjetër për të komunikuar më lirshëm.
Në rrugën kryesore nuk pamë asgjë të dyshimtë dhe kontaktuam me dhomën komanduese, duke raportuar për dy kamionët. Na u kërkua të ktheheshim në vendngjarje dhe të mundoheshim të siguronim fotografi. U kthyem në hyrje të fshatit dhe e parkuam veturën rreth 30 metra larg kamionëve për shkak të ndriçimit të madh në zonë. Na u tha se dy njësi nga Zveçani ishin nisur për asistencë.
Dola me kolegët Mirsadin dhe Çlirimin. Unë dhe Mirsadi u afruam te kamionët për të parë nga afër. Nuk kaluan më shumë se 20 minuta dhe arritën dy vetura policore me gjashtë policë, përfshirë të ndjerin Afrim Bunjaku. Unë isha afër kamionëve, ndërsa Mirsadi komunikonte me kolegët e tjerë. Ai dhe një koleg tjetër u afruan edhe më shumë për t’i vëzhguar. Rreshteri Afrim u afrua dhe u konsultuam që të merrnim pozicione për gatishmëri, pasi e dinim që mund të kishte rrezik.
Nuk kishte gjë tjetër të dyshimtë përveç kamionëve dhe ndriçimit të pazakontë. Fshati ishte në qetësi absolute, gjë që nuk ishte normale për atë kohë. I kërkova Çlirimit të përdorte dylbitë termike për të kontrolluar zonën. Kur isha larguar 3-4 metra nga Afrimi, nga ana e majtë ndodhi një shpërthim i papritur dhe u plagosa në anën e majtë. Ishte një eksplodim shumë i madh. U përpoqa të gjeja një pozicion mbrojtës afër një kamionete, por menjëherë ndodhi një shpërthim tjetër. Pas pak çastesh filluan gjuajtjet me armë zjarri nga shumë pozicione në fshat, me armë të kalibrave të ndryshëm. Ne filluam të kthenim zjarrin, por në anën e majtë vura re se rreshteri Afrim Bunjaku ishte i shtrirë dhe i gjakosur në qafë, pa lëvizur.
Kërkuam nga Çlirimi të afrohej me veturë për ta tërhequr rreshterin nga ajo zonë, por gjatë përpjekjes ai u godit me predha dhe vetura mbeti e palëvizshme,” – përfundoi Rashiti në dëshminë e tij.