Teheran – Në një kohë kur Lindja e Mesme po zien nga tensionet, Irani ka dhënë shenja se është i gatshëm të rikthehet në tryezën e negociatave për programin e tij bërthamor. Sipas burimeve ndërkombëtare të lajmeve, mesazhe të rëndësishme janë dërguar përmes vendeve arabe dhe zyrtarëve europianë, ku Irani shpreh dëshirën për zgjidhje diplomatike – por me një kusht: që Shtetet e Bashkuara të mos përfshihen në sulmet që po ndodhin midis Teheranit dhe Izraelit.
Ndërkohë, situata në terren është tejet e tensionuar. Sirenat e alarmit kanë rënë në veri të Izraelit, duke detyruar banorët të strehohen në bunkerë, pasi raketa të lëshuara nga Irani janë drejtuar ndaj territorit izraelit. Ushtria izraelite (IDF) ka njoftuar se këto raketa janë pjesë e një sulmi të organizuar nga Irani, i cili në anën tjetër, përmes televizionit shtetëror, ka paralajmëruar një “sulm historik” me raketa kundër Izraelit.
Gjithçka nisi pasi IDF goditi një ndërtesë në Teheran që pretendohet se përdorej nga forcat ushtarake iraniane, edhe pse ndërtesa ishte selia e televizionit shtetëror. Kjo ka shtuar edhe më shumë benzinë mbi zjarrin që po përfshin rajonin.
Në këtë situatë të trazuar, Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka marrë mesazhe nga Irani. “Ata duan të bisedojnë, por këtë duhet ta kishin bërë më herët,” u shpreh ai për mediat. Trump theksoi se Irani duhet të veprojë shpejt, para se të jetë tepër vonë.