Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Zhijovin Nesiç për kryerjen e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke e dënuar me 15 vjet heqje lirie. Ky vendim përbën një moment të rëndësishëm në përballjen me krimet e luftës dhe në sigurimin e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale.

Prokurorja e çështjes, znj. Florije Salihu Shamolli, në një prononcim për mediat, e cilësoi këtë vendim si një hap të madh drejt drejtësisë dhe një sukses të rëndësishëm për Prokurorinë Speciale.

“E mirëpresim vendimin e sotëm të gjykatës për dënimin e të pandehurit Zhijovin Nesiç me 15 vjet burgim. Për Prokurorinë Speciale, ky është një sukses i madh dhe një akt drejtësie për të gjitha viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës,” tha ajo.

Për shkak të natyrës të ndjeshme të rastit, të gjitha seancat gjyqësore janë zhvilluar me dyer të mbyllura. Prokurorja theksoi se ky vendim është marrë në përputhje me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve.

By Editor