Kancelari gjerman Friedrich Merz ka shprehur një mbështetje të qartë për veprimet ushtarake të Izraelit kundër Iranit, duke i cilësuar ato si një përballje jo vetëm në interes të Tel Avivit, por edhe të vendeve perëndimore në përgjithësi. Duke folur nga samiti i G7-ës në Alberta të Kanadasë, Merz e cilësoi regjimin iranian si një burim destabiliteti dhe kërcënimi global.
“Kjo është puna e pistë që Izraeli po e bën për të gjithë ne,” deklaroi kancelari gjerman në një intervistë për transmetuesin ZDF. “Edhe ne jemi viktima të këtij regjimi. Ky regjim i mullaheve ka sjellë vetëm vdekje dhe shkatërrim në botë.”
Këto komente vijnë në një kohë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, pas një serie shkëmbimesh të ashpra midis Izraelit dhe Iranit, me ndikim të drejtpërdrejtë në situatën e sigurisë globale.
Në një intervistë të mëhershme për transmetuesin gjerman Welt, Merz ka shtuar se:
“Ky regjim është shumë i dobësuar dhe ndoshta nuk do të rikuperojë më forcën e tij të mëparshme, gjë që e bën të pasigurt të ardhmen e vendit. Do të duhet të presim dhe të shohim.”
Pavarësisht retorikës së ashpër, kancelari Merz ka nënvizuar se oferta e vendeve evropiane për ndërmjetësim diplomatik mbetet e vlefshme, edhe pas përshkallëzimit të situatës. Ai theksoi se kanalet për dialog janë ende të hapura në rast se Irani pranon të rifillojë bisedimet.