Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, deklaroi të martën se Shtetet e Bashkuara kanë “kontroll të plotë të hapësirës ajrore mbi Iranin”, një deklaratë që ka ndezur spekulime mbi rolin e vërtetë të Uashingtonit në sulmet izraelite ndaj objektivave strategjike në territorin iranian.
Duke folur përmes rrjetit të tij social “Truth Social”, Tramp u shpreh se mbrojtja ajrore e Iranit nuk përbën rrezik serioz për teknologjinë amerikane:
“Irani ka pasur sisteme të shumta për zbulimin e objektivave ajrore dhe pajisje të tjera mbrojtëse, por ato nuk krahasohen me teknologjinë amerikane — as për nga ideimi, as për nga ndërtimi. Askush nuk i bën më mirë se ne.”
Këto komente vijnë në një moment kur Trampi, megjithëse ka mohuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së në goditjet izraelite, po e bën gjithnjë e më të qartë mbështetjen e palëkundur për Tel Avivin në përplasjen me Teheranin.