Pavarësisht nevojës urgjente për punëtorë të kualifikuar, gjithnjë e më shumë emigrantë po zgjedhin të largohen nga Gjermania. Një studim i ri i Institutit për Kërkime në Punësim (IAB), pranë Agjencisë Federale të Punësimit, tregon se arsye të tilla si tërheqja ekonomike e vendeve të tjera dhe diskriminimi i përjetuar në Gjermani po ndikojnë fuqishëm në këtë vendim.

Kriza e fuqisë punëtore dhe nevojat e tregut

Gjermania po përballet me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore në shumë sektorë. Në fund të vitit 2024, rreth 1.4 milion vende pune mbetën të paplotësuara në mbarë vendin. Më të prekura janë fushat si:

Mjekësia, sidomos infermieria Teknologjia e Informacionit (IT) Sektori i ndërtimit dhe zanatet e kualifikuara Shoferë profesionistë (kamionë dhe autobusë) Edukimi parashkollor dhe gastronomia

Në përpjekje për të mbushur këto boshllëqe, Gjermania është bërë shtëpi për gjithnjë e më shumë emigrantë. Në vitin 2024, mbi 16% e punonjësve në vend ishin të huaj – një përqindje që është më shumë se dyfishuar që nga viti 2010.

Pesha e emigrantëve në sistemin shëndetësor

Të huajt kanë një rol të pazëvendësueshëm në sektorin shëndetësor. Më shumë se një në gjashtë mjekë në Gjermani ka shtetësi të huaj, ndërsa në infermieri, çdo i pesti punonjës është emigrant. Rritja e punësimit në këtë sektor që nga viti 2022 i detyrohet ekskluzivisht ardhjes së stafit të huaj.

Por a duan të qëndrojnë emigrantët në Gjermani?

Kjo është pyetja që i ka shtyrë studiuesit e IAB-së të realizojnë një sondazh të gjerë me 50.000 emigrantë të moshës 18–65 vjeç, të ardhur nga vende të ndryshme dhe me status të rregullt qëndrimi. Anketa u zhvillua midis dhjetorit 2024 dhe prillit 2025.

Rezultatet tregojnë se, pavarësisht përfshirjes aktive në tregun e punës, shumë emigrantë nuk e shohin Gjermaninë si një zgjidhje afatgjatë. Ata theksojnë se vendet e tjera ofrojnë më shumë mundësi ekonomike, kushte më të mira jetese dhe, ndoshta më e rëndësishmja, ndihen më të mirëpritur. Diskriminimi i përditshëm, pengesat gjuhësore dhe ndjesia e përjashtimit shoqëror janë ndër faktorët që i shtyjnë të kërkojnë një të ardhme diku tjetër.

By Editor