Tensionet në Lindjen e Mesme kanë njohur një përshkallëzim të ndjeshëm pasditen e sotshme, pasi Irani ka ndërmarrë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj forcave amerikane, duke lëshuar gjashtë raketa balistike mbi bazën ajrore Al Udeid në Katar – një nga instalimet më të mëdha ushtarake të SHBA-së në rajon.

Sulmi vjen vetëm pak orë pasi Teherani paralajmëroi masa hakmarrëse në përgjigje të bombardimeve të dyshuara ndaj centraleve të tij bërthamore gjatë fundjavës. Baza Al Udeid strehon mbi 10,000 trupa amerikane dhe më shumë se 100 mjete ajrore, përfshirë bombardues strategjikë dhe avionë cisternë.

Sipas raportimeve të agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, Forcat Islamike Revolucionare të Gardës së Iranit (IRGC) kanë marrë përsipër sulmin, duke e cilësuar atë si një akt hakmarrjeje të drejtpërdrejtë ndaj veprimeve të fundit amerikane. Ngjarja është konfirmuar gjithashtu edhe nga media amerikane Axios.

Në Katar, shpërthime janë dëgjuar menjëherë pas aktivizimit të një alarmi sigurie në bazë, për shkak të asaj që autoritetet e kanë quajtur një “kërcënim të besueshëm”. Bëhet e ditur gjithashtu se pak minuta para sulmit, Katari kishte mbyllur hapësirën ajrore.

Ndërkohë, televizioni Al Jazeera raportoi se janë goditur edhe baza të tjera ushtarake amerikane në Irak, përfshirë Ain al-Asad, ku është aktivizuar sistemi i mbrojtjes ajrore për të penguar dëmet e mëtejshme.

Një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane, në deklaratë për BBC, konfirmoi se Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Mbrojtjes kanë qenë të informuar për kërcënimet dhe po ndjekin nga afër situatën në zhvillim.

By Editor