Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, ka qenë objektivi i një komploti për vrasje që do të realizohej nga një pensionist ushtarak polak, i cili ishte rekrutuar për herë të parë nga shërbimet sekrete të Rusisë Sovjetike dekada më parë. Lajmi u bë publik nga kreu i Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Ukrainës (SBU), gjeneral-lejtnant Vasili Maljuk.
Në një takim të mbyllur me gazetarët e mediave vendase, Maljuk zbardhi detaje të operacionit të ndaluar, duke theksuar se komploti ishte i mirëplanifikuar dhe kishte si objektiv vrasjen e Zelenskit gjatë një vizite të mundshme në aeroportin Rzeszow-Jasionka në Poloni.
Sipas raportimeve të gazetës ukrainase TSN, atentatori i dyshuar kishte planifikuar të përdorte ose një dron sulmues të llojit FPV, ose një pushkë snajperi. Mediat shtojnë se ai mbante bindje të forta pro-sovjetike, të cilat i kishte ruajtur për vite me radhë.
Komploti u zbulua dhe u pengua në kohë falë një operacioni të përbashkët ndërmjet SBU-së dhe Agjencisë së Sigurisë së Brendshme të Polonisë.