Zohran Mamdani, deputet në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut dhe përfaqësues i krahut socialist demokrat, është në rrugë të sigurt drejt fitores në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokratike për kryetar bashkie të qytetit të Nju Jorkut. Ai tronditi skenën politike amerikane pasi rivali i tij kryesor, ish-guvernatori Andrea Kuomo, pranoi humbjen të martën në mbrëmje.

Mamdani, i cili ka kërkuar rritje të taksave për më të pasurit dhe ka kritikuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Izraelin në luftën në Gazë, përfaqëson krahun e majtë të Partisë Demokratike. Fushata e tij, e përqendruar në përballueshmërinë e jetesës, pati një jehonë të madhe veçanërisht te të rinjtë.

Suksesi i tij është një goditje për botën e financave në Ëoll Strit, ku figura të fuqishme si menaxheri i fondeve Bil Akman mbështetën Kuomon. Kjo fitore pritet të thellojë ndarjen mes progresistëve dhe qendrës brenda Partisë Demokratike, në një kohë kur ajo kërkon një strategji të qartë për t’u përballur me Donald Trump-in.

“Të dashur miq, sonte bëmë histori,” u tha Mamdani qindra mbështetësve të tij në Kuins.

“Unë do të jem kandidati juaj demokrat për kryetar bashkie të qytetit tonë. Kur ne humbasim besimin te demokracia jonë, hapim rrugë për figura si Donald Trump dhe për miliarderët që pretendojnë se vetëm ata mund të udhëheqin,” tha ai.

Qyteti i Nju Jorkut është tradicionalisht i dominuar nga demokratët, ndaj fitorja në primaret e partisë i jep Mamdanit një avantazh të madh për zgjedhjet e përgjithshme në nëntor, ku ai synon të zëvendësojë kryetarin aktual Erik Adams.

Andrea Kuomo, një figurë me ndikim në politikën e shtetit për më shumë se katër dekada, e pranoi humbjen vonë të martën në një garë që u pa si një referendum për të ardhmen e Partisë Demokratike.

“Nuk ishte nata jonë. Ishte nata e Mamdanit,” tha Kuomo, duke shtuar se e kishte telefonuar kundërshtarin për ta përgëzuar.

Rezultatet jozyrtare treguan se Mamdani kishte një epërsi prej shtatë pikësh ndaj Kuomos, me më shumë se 90 për qind të votave të numëruara. Megjithëse ai nuk arriti shumicën absolute, sistemi i votimit me renditje do të përdoret për të shpallur fituesin, në mënyrë zyrtare më 1 korrik.

Pas fitores së Donald Trump-it ndaj Kamala Harris-it në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, Partia Demokratike ka pësuar ndarje të thella midis progresistëve si kongresistja Aleksandra Okasio-Kortez dhe të moderuarve si senatori Xhon Feterman, i cili madje ka lavdëruar Trump-in në disa raste.

Mamdanit e drejtoi fushatën me një vizion për të ulur kostot për qytetarët. Ai premtoi të rrisë taksat për më të pasurit, për të financuar transportin publik, kujdesin falas për fëmijët dhe krijimin e dyqaneve ushqimore në pronësi të qytetit.

Ai pati mbështetje të fuqishme nga votuesit e rinj – një model që po studiohet gjerësisht nga udhëheqësit demokratë për të rikthyer të rinjtë që votuan për Trump-in në nëntor.

“Siç ka thënë Nelson Mandela: gjithmonë duket e pamundur, derisa të bëhet realitet,” shkroi Mamdani në rrjetin X, pas fitores së tij.

Aleksandra Okasio-Kortez, e cila gjithashtu ka ndërtuar një bazë të fortë te votuesit e rinj, e përgëzoi Mamdanin të martën në mbrëmje në një postim në rrjetet sociale: “Miliarderët dhe lobistët derdhën miliona kundër jush dhe kundër sistemit tonë të financimit publik. Dhe ti fitove.”

Andrea Kuomo, që u dorëhoq nga posti i guvernatorit katër vjet më parë pas akuzave për ngacmim seksual, të cilat ai i mohoi, hyri në garën për kryetar bashkie në muajin mars.

Ai premtoi të rindërtonte lidhjen mes Partisë Demokratike dhe votuesve të klasës punëtore, duke propozuar më shumë oficerë policie, përmirësim të sigurisë në metro dhe lehtësim të burokracisë për ndërtimin e banesave të përballueshme.

Fushata e tij kishte përparësi të dukshme në fonde, duke u mbështetur nga dhurime të mëdha, përfshirë edhe nga ish-kryetari i bashkisë Mikael Blumberg. Në total, grupet mbështetëse jashtë fushatës shpenzuan mbi 20 milionë dollarë për të mbështetur Kuomon.

Në krahasim, fushata e Mamdanit u mbështet nga kontribute të vogla – mbi 21 mijë donatorë, ku rreth 75 për qind dhuruan më pak se 100 dollarë secili.

Ndërkohë, kryetari aktual i bashkisë, Erik Adams, do të kandidojë si i pavarur në zgjedhjet e nëntorit. Mbështetja për të është në nivele të ulëta – vetëm 20 për qind – pasi vitin e kaluar u përball me akuza për ryshfet dhe mashtrim, një çështje që më vonë u mbyll pa ndjekje penale.

By Editor