Gazetari i njohur Valon Syla është arrestuar për dhunë ndaj bashkëjetueses së tij. Ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje, kur viktima u detyrua të kërkojë ndihmë mjekësore për plagët e shkaktuara nga sulmi fizik.
Policia e Kosovës e ka ndaluar Sylën për 48 orë, ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet për dhunë në familje dhe lëndim trupor të lehtë. Viktima është mbështetur nga familjarët, të cilët kanë siguruar edhe prova vizuale të dhunës – foto dhe video që tregojnë qartë dëmtimet.
Por ajo që habit është heshtja e kolegëve të tij në media. Asnjë koment, asnjë reagim, edhe pse rasti është i rëndë dhe përfshin një figurë publike. Kjo heshtje ka shkaktuar zemërim të madh tek aktivistët për të drejtat e grave, të cilët akuzojnë gazetarët për mbulim dhe indiferencë.
“Nëse nuk do ishte ai, mediat do të ishin zhurmë sot. Por sepse është ‘një nga ne’, heshtja është e plotë. Kjo është turp,” tha një aktiviste e njohur.
Ministrja e Drejtësisë ka thënë se asnjë njeri nuk është mbi ligjin, pavarësisht statusit apo profesioni.