Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të mbyllin Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), një nga institucionet kryesore për ofrimin e ndihmës së huaj në mbarë botën. Sipas njoftimit zyrtar nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, nga sot ndihma e huaj amerikane do të administrohet drejtpërdrejt nga Departamenti i Shtetit.

Rubio kritikoi USAID-in për, siç tha ai, “mosplotësim të standardeve” dhe për “promovimin e ideve anti-amerikane në disa vende partnere”. Ai theksoi se ky vendim synon të rrisë efektivitetin dhe llogaridhënien e ndihmës së huaj, si dhe të fuqizojë rolin strategjik të SHBA-ve në një botë gjithnjë e më konkurruese, sidomos përballë ndikimit kinez.

“Ne nuk mund të vazhdojmë të financojmë struktura që nuk përfaqësojnë interesin kombëtar amerikan. Do të kemi një qasje më të drejtpërdrejtë dhe më të rreptë”, deklaroi Rubio në një konferencë për shtyp.

Gjatë dekadave të fundit, USAID ka qenë një nga mjetet kryesore të diplomacisë së butë amerikane. Vetëm në Shqipëri, gjatë viteve 2020–2024, agjencia ka investuar rreth 189 milionë dollarë, duke mbështetur sektorë si drejtësia, qeverisja lokale, zhvillimi ekonomik dhe shoqëria civile.

Mbyllja e USAID-it pritet të sjellë ndryshime të mëdha në mënyrën se si vendet partnere do të bashkëpunojnë me ndihmën amerikane, si dhe në prioritetet e saj. Analistët paralajmërojnë se kjo mund të ndikojë në mbështetjen për organizatat e shoqërisë civile, të cilat deri tani kanë qenë përfituese të rëndësishme të fondeve të USAID-it.

Departamenti i Shtetit ende nuk ka detajuar plotësisht format e reja të shpërndarjes së ndihmës dhe partneritetit me vendet e rajonit.

By Editor