Fluminensa i befasoi të gjithë duke eliminuar Interin në Botërorin e Klubeve, pasi triumfoi 2-0.
Protagonistët kryesorë të brazilianëve në këtë arritje historike ishin kapiteni Tiago Silva, tashmë 40-vjeçar, dhe portieri Fabjo, i cili në shtator mbush 45 vjeç.
Gardiani brazilian ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve me paraqitjet e tij, pasi e mbajti portën e paprekur në tre ndeshje të këtij evenimenti.
Veterani tashmë ka prekur shifrën e 507 ndeshjeve pa pësuar gol, nga gjithsej 1249 ndeshje të luajtura në karrierën e tij të gjatë, ku përveç Fluminensës përfshihet edhe aktivizimi me Kruzeiron, ku luajti për 15 vite.
Ajo që e bën edhe më të veçantë karrierën dhe arritjet e portierit veteran është fakti se ai jeton me një sindromë të rrallë, e cila e lejon të flejë vetëm tre orë në natë.
Kjo sindromë njihet si “sindroma e gjumit të kufizuar” dhe përllogaritet se prek rreth 5% të njerëzve në botë.
Fabjo u ka thënë mediave se nuk ngre asnjëherë pesha gjatë stërvitjeve të tij.
Në fillimet e tij ka luajtur bashkë me Ronaldinjon te Kruzeiro, ndërsa nuk ka debutuar asnjëherë me kombëtaren e Brazilit.