#image_title

Grupet e emergjencës po vazhdojnë prej pesë ditësh përpjekjet për fikjen e vatrave të zjarrit në landfillin e Elbasanit, ku depozitohen mbetjet e shtatë bashkive të vendit.

Deri tani janë hedhur mbi 20 mijë metër kub dheu në përpjekje për të izoluar flakët, por kjo sasi ka rezultuar e pamjaftueshme. Së fundmi, raportohet se edhe 50 kamionë të tjerë janë sjellë nga Tirana për të ndihmuar në izolimin e flakëve nga kontakti me oksigjenin.

Sfida më e madhe mbetet fikja e flakëve në thellësi të landfillit.

Ndërkohë, banorët e zonës po përballen me një nivel të lartë ndotjeje toksike, duke shfaqur probleme me frymëmarrjen dhe skuqje të syve.

Personat me probleme shëndetësore janë ata që po e vuajnë më shumë situatën e krijuar, sidomos gjatë orëve të natës, kur përhapja e ndotjes ndodh me ritëm më të shpejtë.

Autoritetet ende nuk kanë dhënë një afat se kur mund të shuhen flakët në fushën e mbetjeve, ndërsa ditën e djeshme shoqëria civile protestoi në Elbasan, duke kërkuar ndër të tjera rritje të ndërgjegjësimit dhe reagimit qytetar lidhur me këtë rast.

By Editor