Nga Abdulla Diku

Këto janë disa nga ndërtimet që Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) planifikon të realizojë në zonën e mbrojtur “Liqeni i Pogradecit” — një pasuri botërore e shpallur nga UNESCO.

Investimet që AADF synon të zhvillojë përbëhen nga ndërtime me intensitet të madh — struktura gjigande betoni në zemër të zonës së mbrojtur.

UNESCO pritet të miratojë këto ditë vendimin paraprak 47 COM 7B.54, i cili rekomandon përfshirjen e Trashëgimisë Natyrore dhe Kulturore të Rajonit të Ohrit (Shqipëri/Maqedoni e Veriut) në Listën e Trashëgimisë në Rrezik.

Arsyeja kryesore është:

• Projekte ndërtimi dhe zhvillimi të ndërmarra pa vlerësim ndikimi dhe pa njoftim paraprak ndaj UNESCO-s.

• Rrezik i madh për Vlerën Universale të Jashtëzakonshme (OUV) të liqenit.

Në pjesën shqiptare të liqenit, si shumë problematike shihen:

Urbanizimi i paligjshëm dhe mungesa e ndryshimeve në planet urbanistike; Përgjigje negative ndaj kërkesave të UNESCO-s për të:  • hequr mundësinë e zhvillimit urban përgjatë bregut Pogradec–Tushemisht dhe në Lin;  • ndaluar ndërtimin në kodrën mbi Parkun e Drilonit;  • ndaluar zhvillimin urban në zonën rurale midis Tushemishtit dhe Drilonit; Mungesa e Vlerësimeve Mjedisore Strategjike dhe Vlerësimeve të Ndikimit në Mjedis (SEA/EIA).

Gjatë ditëve të ardhshme të sesionit, Komiteti i UNESCO-s do të votojë për:

• Përfshirjen zyrtare të Ohrit në listën e rrezikut (47 COM 7B.54);

• Kërkesën për masa dhe raportim nga shtetet (47 COM 7B.56);

• Amendamentin e propozuar nga Maqedonia e Veriut, që synon anulimin e përfshirjes në atë listë (ndërkohë që Shqipëria nuk ka bërë një përpjekje të tillë).

Nëse nuk ndodh një kthesë e papritur, Liqeni i Ohrit do të shpallet për herë të parë Trashëgimi Botërore në Rrezik.

Kjo është vetëm një nga pasojat e amendimit të ligjit “Për zonat e mbrojtura” të vitit të kaluar.

By Editor