Një episod i pazakontë ndodhi në ceremoninë e shpalljes së fituesit në Botërorin e Klubeve.
Lojtarët e Çelsit po festonin arritjen historike pasi mposhtën 3-0 PSG-në, ndërsa medaljet dhe trofeun po i jepnin presidenti i SHBA-ve, Donald Tramp, dhe ai i FIFA-s, Xhani Infantino.
Momenti kulmor ishte kur Tramp nuk pranoi të largohej nga skena e festimeve pasi trofeu iu dorëzua kapitenit të Çelsit, Ris Xhejms.
Infantino e ftoi Trampin të linte skenën për fituesit, por ky i fundit nuk ishte i të njëjtit mendim.
Tramp qëndroi në skenë kur Xhejms ngriti trofeun dhe u pa teksa festonte bashkë me lojtarët e teknikut Enco Mareska.
Sjellja e Donald Tramp habiti edhe disa nga lojtarët e Çelsit.
Një episod i tillë nuk ishte parë asnjëherë në ceremoni të tilla dhe pamjet po bëjnë xhiron e botës.