Nga Arilda Lleshi

Gjatë fushatës zgjedhore, e kam përmend disa herë Paketën e Maleve. Ky ligj gjoja synon me i dhan hov turizmit malor, por çashtja kryesore që prek asht prona. Thotë që ata që e kanë në përdorim tokën, mund me aplikue me e zhvillu. Që me zhvillu turizmin, mjafton me ju njoh pronarëve pronësinë dhe me investu në infrastrukturë. Janë plus incentivat financiare. Pjesën tjetër e kryn iniciativa e lirë dhe rrjetet sociale / platformat e hotelerisë, siç e tregon rasti i Thethit, që u kthye prej një zone të izolume nga bota në një atraksion turistik ndërkombtar. Ky ligj duket se jua hap rrugën investitorëve të lidhun me pushtetin.

Çashtja e pronësisë në malet e veriut

Në këto zona, përgjithësisht nuk ka konflikte pronësie. Njerëzit kanë shkue në kufinjtë e tyne të para kolektivizimit. Kolektivizimi ishte kohë e shkurtë me u harru kufinjtë që ishin rujt me gjenerata. Mirëpo, për shkak të lëvizjes së madhe demografike, shumica nuk e kanë marrë mundimin me marrë çertifikata pronësie. Kjo kategori, që mund edhe të ishte ma potencialja me investu në tokat e veta, nuk aplikon dot përmes Paketës së Maleve se nuk provon dot që e ka posedue tokën për disa vite dhe nuk ka letra pronësie. Kush ka pasë mundësi me ikë prej këtyne zonave të harrume prej shtetit, ka ikë. (Janë tu ikë edhe prej qyteteve, ku kanë pak ma shumë shërbime.) Kush ka ngelë akoma aty, mund edhe me pasë naj njeri në emigrim, që mundet me u kthye me investu. Ama shumica e tyne (“poseduesve jopronarë” të maleve të veriut, që sipas ligjit do pajisen me çertifikatë pronësie) veçse do nxjerrin çertifikatën e pronësisë për naj investitor strategjik. Me shumë mundësi kanë me e shit edhe tokën krejt lirë. Pra, edhe turizmin malor ka me e marrë në dorë një grup njerëzish të lidhun me qeverinë.

Nëse shteti me të vërtetë do donte me zhvillu kyt zonë dhe me fuqizu ekonomikisht njerëzit e kësaj zone (që ma në fund i erdhi radha), mjaftonte me ju dhan pronësinë pronarëve historikë të këtyne tokave. Në mungesë të konflikteve të pronësisë, nuk do kishte shumë probleme. Madje madje (kjo asht hipotetike, por e kemi pa tu ndodhë në rastin e pronarëve të Rrjollit, që kishin edhe vendime gjykate për pronësinë) asht e mundun që ky personi që aplikon për çertifikatë pronësie si posedues jopronar, me pretendu se ka ma shumë tokë seç ka. Vendimin e jep këshilli bashkiak; dikush edhe mundet me kundërshtu. Mirëpo një investitor i fuqishëm mundet me dhanë ca lekë dhe me e mbyllë kyt punë. Pronari i vërtetë i tokës mundet mos me e marrë vesh deri vonë, por edhe nëse e merr, në momentin që personi bahet posedues jopronar, asht ma i fortë para ligjit se personi që e zotnon pronën, por s’ka letra. Në kyt vend që s’ka ngelë ligj e moral pa u shkelë, mundet me ndodhë.

By Editor