Nga Astrit Cani

S’kam kenë kurr në Theth. Por shkonte Gilman Bakalli kur ishte i ri, dhe merrte me vedi fletoren e përkthimeve. Robert Elsie, që ia ka kushtue jetën shqiptarve, ka lypë me iu shpërnda hini aty. Kaq mjafton me e vendosë Thethin në thile të kostumit kombtar. Nji fshat i mirëbanuem dhe funksional – kaq pak ka të tillë në Shqipni – deri në momentin kur i hyn në sy pushtetit. 

Turizmin aty e kanë zhvillue vendasit, shteti ka gjysë shekulli që s’ia mbrrin me ngrehë nji rrugë. Dhe njerzit që vijnë prej katër anëve të botës, vijnë për ata njerz të Thethit, nuk vijnë për hatër të shtetit tonë, i cili i ngjan tashma nji emirati ku gjithçka varet nga pak duer dhe nga pak firma – kurse të tjerët mund të burgosen për nji faturë dritash ose nji parkim dysh. Kur ky lloj shteti  porno vjen me prishë kioskat, ai nuk vjen me pru shtetin, por pornon e tij. Ngase shteti i sakti nuk vjen për nji ditë, gjanat e shtetit duen gjithmonë shum kohë! Po ktij shteti i doli teatri kombtar pa leje, dhe e shembi në pabesi. Firmatari i ksaj prishje asht sot në fresk, a si i thonë anglezët burgut në gaol, pra në golle (Kujto the Ballad of Reading Gaol)! Kshtu i del edhe evladi pa leje, dhe nji ditë, ka me i dalë edhe populli shqiptar si popull abuziv, pra pa leje. 

Ky lloj zullumi i ka mbytë aq keq, sa qysh tash nuk dinë ma ku të kapen! Mbrojtësit e natyrës dhe kulturës, kanë arritë me futë antinatyrën dhe antikulturën aty ku s’ka mujtë me hy njeriu i ri. Thethi ka kenë shum gjatë i vorfën, por nuk ka kenë kurr aq i mjerë sa me kenë ateist. Dhe ata që thonë shyqyr se u pastrue kartolina, janë viktima onaniste të ksaj pornoje. Kioskat i pastron çdo sistem, sikurse në Tiranë do t’i kishte zhgulë në kohë çdo lloj administrate. Por betonizimin pa shtab, me leje të emirit, kush e çban mandej?

By Editor