Në politikën shqiptare gjithmonë ka vend për një barcaletë të re. Këtë herë, protagonisti është një “dajë” që del nga hija e familjes për të marrë një mandat deputeti, ndërsa nipi, që thoshte se po sillte “politikën ndryshe”, bën sikur s’di gjë. Po flasim për rastin më të freskët të absurdit shqiptar, ku një koalicion i fundit “i ndershëm” është zënë me presh në duar nga një skemë që ata vetë e shpikën.

Nëse nuk e keni ndjekur telenovelën: “Shqipëria Bëhet”, një koalicion që lindi me flamurin e ndryshimit, vendosi të përdorë një skemë me lista “gjysmë të hapura” dhe kandidatë “fiktivë”. Plani ishte i thjeshtë: kandidati më i votuar hyn në Kuvend, ndërsa kandidatët e tjerë – kryesisht të afërm të njerëzve me ndikim në listë – japin dorëheqjen “me burrni” sapo të vijë momenti. Thënë ndryshe: një operacion i pastër moral, me rrënjë te zakoni shqiptar i “fjalës së dhënë”. Ç’të keqe ka të futësh dajën, hallën, kunatin apo xhaxhain në listë, kur është për një kauzë të madhe?

Por, befasi! Njëri nga këta “familjarë të besës”, Zeqir Kordhoni, vendosi papritur që fjala është fjalë, por mandati është më i mirë. Në vend që të largohej me dorëheqje, siç ishte marrë vesh në “kuzhinën” e marrëveshjes, Kordhoni i çoi KQZ-së një letër ku kërkon mandatin si deputet, ndonëse renditej i nënti në listë dhe votat i kishte me mikroskop. E gjithë skema mori flakë. Dhe bashkë me të, edhe Adriatik Lapaj – kandidati më i votuar i listës, që tani rrezikon të mos hyjë fare në Kuvend, për faj të… dajës.

Por ja ku hyn ironia më e madhe: vetë Lapaj, para zgjedhjeve, kishte deklaruar publikisht se:

“Nëse koalicioni merr vetëm një mandat, ai nuk do të jetë për mua. Nuk po luftoj për një karrige deputeti, por për parime.”

Një deklaratë që bëri xhiron e rrjeteve dhe u përmend si dëshmi e moralit të ri në politikë.

Sot, kjo deklaratë tingëllon si farsë. Pasi koalicioni mori pikërisht një mandat të vetëm, Lapaj nuk e mbajti fjalën. Tani, po lufton me çdo mjet që të marrë pikërisht atë mandat që premtoi se s’do ta merrte kurrë. Nga “s’po hyj për një copë karrige”, në “mandatin ma kanë borxh”. Nëse kjo nuk është kthesë 180 gradë, atëherë s’ka më kuptim fjala “parim”.

Lapaj, siç pritej, doli me deklarata të forta. Tha se është luftuar nga të gjithë: Rama, Berisha, dhe tani – për ironi – edhe nga një njeri që “e futi në gji”. Nuk përmendi emra, por gjithkush e kuptoi që gishti drejtohej nga Endrit Shabani, bashkëkryetar i koalicionit dhe… nipi i Zeqirit. Lapaj foli për fjalë të pambajtura, për sabotim, për marrëveshje të thyer dhe për moral të shkelur. Deri këtu, gjithçka e zakonshme për politikën shqiptare – përveç faktit që këtë herë aktorët pretendonin se ishin ndryshe.

Në mënyrë tragjikomike, të dy protagonistët – Lapaj dhe Kordhoni – thonë se po veprojnë për parime. I pari për parimin e përfaqësimit, i dyti për parimin e ligjshmërisë. Në të vërtetë, që të dy po luftojnë për një mandat – të vetëm – që e kishin marrë vesh që më parë si do të ndahej. Parimet janë dekor. Mandati është qëllimi.

Kjo histori do të ishte thjesht komike, nëse nuk do të ishte tragjike për ata votues që u besuan këtyre njerëzve me premtimin se po sillnin një model të ri. Ndërsa “të vjetrit” bëjnë pazare me mandate në mënyrë të drejtpërdrejtë, këta të “rinjtë” e bëjnë me artificë – por rezultati është i njëjtë: kush ka dajë, ka mandat.

Në fund, koalicioni që do t’i tregonte vendin “elitave të vjetra”, përfundoi duke shpikur një metodë të re për të futur të afërmit në Parlament. Ashtu siç ndodhi dikur me “kërpudhat” e PD-së që mbinë në Kuvend me zero vota, edhe ky rast do të mbetet një ndër barcaletat më autentike të zgjedhjeve shqiptare. Të paktën publiku do ketë me ç’të qeshë – mes krizës, korrupsionit dhe dështimeve, humori është i vetmi që s’na ka lënë.

By Editor