Pas përplasjes publike me Adriatik Lapajn për mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni “Shqipëria Bëhet”, Endrit Shabani ka reaguar me një status në rrjete sociale ku shpreh “keqardhje” për atë që e cilëson si një sulm të padrejtë ndaj vetes. Shabani i përgjigjet Lapajt me tri pika kryesore dhe një ton të ashpër, duke e akuzuar këtë të fundit për përvetësim merite, për thyerje të fjalës së dhënë dhe për hipokrizi.
Statusi i Shabanit:
“Keqardhje për Tikun!
Ndjej keqardhje nga deklarata e nxituar e Tikut ku më shpall mua armikun e klasës. Duhet ta kisha menduar se pas Arlindit dhe Agronit, kisha mbetur vetëm unë nga fronti i të rinjve.
Gjithsesi, për interes publik, dua të sqaroj tre gjëra:
E para: Mandati i koalicionit “Shqipëria Bëhet” nuk ka qenë kurrë i Adriatikut. Ai mori 6.436 vota, ndërkohë që për një mandat duheshin 13.500. Pjesa tjetër e votave erdhi nga kandidatë të tjerë, përfshirë mua dhe Nismën Thurje. Pa ne, ai nuk do të bëhej deputet.
E dyta: Me zë dhe figurë, Adriatik Lapaj është zotuar publikisht se, nëse fitonim vetëm një mandat, ai nuk do ta merrte. Këtë e tha për të motivuar aktivistët, jo për të hyrë vetë në Kuvend. Më pas e drodhi. Zeqiri, që besoi në këtë fjalë, reagoi duke e kërkuar mandatin – dhe sipas Shabanit, “ndihmoi Tikun të bëhet burrë”.
E treta: Nëse Lapaj nuk mban përgjegjësi për vjehrrin e tij, nuk mund të kërkojë që unë të mbaj përgjegjësi për dajën tim. Për më tepër, ishte vetë Lapaj që e futi gabimisht Zeqirin në listë, në minutën e fundit, duke e zëvendësuar me një tjetër kandidate.”
Shabani përmend edhe presione e kërcënime që, sipas tij, u ushtruan ndaj Zeqir Kordhonit, përfshirë edhe ndaj fëmijëve të tij. Edhe pse thotë se nuk ishte dakord me vendimin e dajës për të mos hequr dorë nga mandati, ai e justifikon atë si një reagim ndaj mënyrës së sjelljes së Lapajt dhe presioneve politike.