Një audio-kërcënim i publikuar mbrëmjen e djeshme nga emisioni investigativ Piranjat ka nxjerrë në pah tensionet mes dy aleatëve të dikurshëm politikë, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani. Materiali audio përmban një telefonatë kërcënuese nga një aktivist i partisë “Shqipëria Bëhet”, që drejtohet nga Lapaj, ndaj kreut të Nismës Thurje, Endri Shabani, për shkak të përplasjes për mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” në zgjedhjet e 11 majit.
Në bisedën e publikuar, aktivisti përdor një gjuhë të ashpër, duke lëshuar kërcënime serioze ndaj Shabanit dhe familjarëve të tij. Objekt i veçantë i sulmit verbal është Zeqir Kordhoni, daja i Shabanit, i cili aktualisht pretendon mandatin e vetëm të koalicionit. Aktivisti paralajmëron pasoja të rënda për veprimet e Shabanit, duke deklaruar se “Adriatiku ka një ushtri mbrapa” dhe se “gabimi i bërë do të kushtojë rëndë”.
Nuk dihet saktësisht kur është bërë telefonata kërcënuese, por Endri Shabani e ka përmendur rastin në një postim të fundit në rrjetet sociale, duke ngritur shqetësimin për degradimin e dialogut politik dhe kthimin në rrezik për sigurinë personale.
“O Endri, më dëgjo. Dole shumë i pabesë. Po ta thotë shoku jot këtu, dole shumë i pabesë. Do të të kushtojë rëndë kjo. Do të të kushtojë jashtë mase rëndë. Ne nuk do ta lëmë kurrë, po kurrë Adriatikun vetëm. Kurrë. Adriatiku mbrapa ka një ushtri të tërë. Dakord. Po ti, me ato nën rrogozet e tua, bashkë me ato dajo pimotrën që do ta gjej, s’ka ku në pi të motrës ku të vejë. Ke bërë gabim të rëndë shumë. Të futëm në gjirin tonë, të futëm në gjirin tonë s’e besuam por dolët shumë të pabesë. Do shihemi së shpejti. Dajua s’ka ku në pi** të motrës të futet një herë. Dajua do ta paguajë shumë shtrënjtë. Do t’i q*het motra. Do shikosh ti.” – dëgjohet në materialin audio.
Një koalicion i shpresave që u kthye në fushëbetejë për një mandat
Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” u prezantua si një alternativë ndaj politikës së vjetër, me premtime për moral të ri politik, barazi dhe shërbim ndaj qytetarëve. Lapaj dhe Shabani shpallën publikisht se nuk kandidonin për pushtet personal, por për një projekt të përbashkët. Megjithatë, pas rezultatit zhgënjyes të 11 majit, ku koalicioni siguroi vetëm një mandat, marrëdhënia mes tyre mori një kthesë tjetër.
Tensionet u përqendruan tek përfaqësimi i vetëm parlamentar. Sipas listës së mbyllur të dorëzuar para zgjedhjeve, kandidati i parë është Ana Dajko, një 60-vjeçare e afërt me Lapajn. Pas saj renditen disa figura të tjera, përfshirë edhe Zeqir Kordonin – dajën e Shabanit – i cili është aktualisht pretenduesi më aktiv për mandatin.
Në një zhvillim të papritur, sot pasdite, Kleana Xhuveli – një tjetër kandidate në listë – i ka dorëzuar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke shprehur gatishmërinë për të marrë mandatin. Lëvizja e saj komplikon më tej situatën, duke e kthyer çështjen në një krizë të hapur brenda koalicionit.
KQZ përballë një beteje ligjore dhe etike
Megjithëse lista është e mbyllur dhe vendimmarrja ligjore për renditjen është e qartë, çështja është shndërruar në një betejë morale dhe politike. Dy liderët, që dikur bashkonin forcat për një Shqipëri ndryshe, tani janë në pole të kundërta të një lufte për mbijetesë politike.
Zyrtarisht, KQZ duhet të ndjekë renditjen e listës, por brenda koalicionit ka lëvizje dhe presione për të ndikuar emrat e përzgjedhur. Më e favorizuara aktualisht mbetet Ana Dajko.