Ministria e Mbrojtjes njoftoi se 20 vatra të reja zjarri janë raportuar në vend në 24 orët e fundit.
Situata më problematike aktualisht paraqitet në zonën rreth Liqenit të Luleve, pjesë e Parkut Kombëtar të Lurës në Dibër.
Njoftimi:
Situata e zjarreve në rang vendi
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 20 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 4 janë ende aktive.
Vatrat e zjarrit janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Mallakastër, Patos, Fier, Rroskovec, Himarë, Tiranë, Rrogozhinë, Mirditë, Pogradec, Delvinë, Memaliaj dhe Malësi e Madhe.
Vatrat aktive janë si më poshtë:
Qarku Dibër – Në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar të Lurës, zjarri është përhapur në dy vatra. Njëra vatër po zhvillohet në drejtim të Lurës, rreth Liqenit të Zi, dhe po punohet nga forcat operacionale, por terreni i keq dhe intensiteti i madh i zjarrit vështirësojnë vendosjen e tij nën kontroll. Ndërsa vatra tjetër po zhvillohet në pjesën e sipërme të zonës, nga krahu i Malit të Dejës, por po mbahet nën monitorim për shkak të sipërfaqes së madhe që ka përfshirë. Në operacion për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 23 forca operacionale dhe 30 forca nga FA, të cilët po punojnë për shuarjen e tij. Qarku Dibër – Bashkia Bulqizë – Në zonën e “Malit të Peladhisë”, njësia administrative Zerqan. Vetëm një vatër është aktive, e zhvendosur në lartësinë mbi fshatin Krajkë, dhe po zhvillohet në terren të vështirë, në sipërfaqe me shkurre dhe dushqe. Vatra po mbahet nën kontroll nga forcat në terren. Si pasojë janë përfshirë rreth 33 ha sipërfaqe me dushqe, shkurre dhe barishte. Qarku Fier – Në fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, vijon të jetë aktive vatra e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pyll pishe nën kurorë, midis kufirit ndarës të fshatrave Drenovë, Belishovë dhe Gorishovë. Zjarri u riaktivizua më datë 14 korrik. Për shkak të erës, vatra është zgjeruar. Forcat operacionale po punojnë për shuarjen e tij. Qarku Vlorë – Në fshatin Borsh, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë. Në mbrëmje, vatra e zjarrit është riaktivizuar dhe ndërhyrja u bë nga efektivët e MZSH Himarë me pompa shpine, duke e izoluar atë. Gjatë natës efektivët kanë qëndruar në vendngjarje për të monitoruar situatën, por mëngjesin e sotëm vatra është riaktivizuar sërish, në një sipërfaqe me shkurre pranë banesave, çka e vështirëson ndërhyrjen me trupa për shkak të terrenit. Aktualisht po punojnë për shuarjen e saj 4 efektivë të MZSH Himarë dhe 1 helikopter i FA-së. Si pasojë janë djegur rreth 10 ha sipërfaqe me shkurre.
Dëmet:
Si pasojë e zjarreve janë djegur rreth 52 hektarë me shkurre dhe bimësi, si dhe rreth 90 rrënjë ullinj.
Forcat e angazhuara:
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 32 automjete zjarrfikëse dhe 275 forca operacionale. Gjithashtu, në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë 3 automjete zjarrfikëse dhe 50 forca nga FA. Ditën e sotme, nga FA janë angazhuar 30 forca ushtarake, 2 automjete zjarrfikëse me ekuipazh dhe 1 helikopter.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme nuk parashikohen reshje.
Rreziku për zjarre:
Sa i përket rrezikut për zjarre në pyje, sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarqet Lezhë, Tiranë, Fier dhe Berat, ndërsa në të gjitha qarqet e tjera pritet nivel rreziku “I MODERUAR”.
Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë në të gjithë territorin për të ndërhyrë në kohë dhe për të parandaluar përhapjen e zjarreve.
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente në rast se konstatojnë një vatër zjarri.