Dy punëtorë ndërtimi humbën jetën tragjikisht si pasojë e rrëzimit nga lartësia, gjatë punës në ndërtimin e një objekti në Gjakovë.
Lajmi u konfirmua nga Policia e Kosovës përmes zëdhënësit të rajonit të Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Sot, rreth orës 08:15, jemi njoftuar se dy persona (meshkuj të moshës madhore) janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Gjakovë, pasi dyshohet se kanë pësuar lëndime të rënda në vendin e punës, në rrugën ‘Bardhyl Qaushi’ në Gjakovë. Më pas, është konfirmuar edhe vdekja e tyre”, deklaroi Elezaj.
Ai shtoi se njësitet relevante të Policisë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.