Kryeministri në detyrë i Kosovës kërkoi nga NATO dhe Bashkimi Evropian që të reagojnë ndaj kërcënimeve të fundit që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka adresuar ndaj shtetit të Kosovës.

Sipas Albin Kurtit, në këto situata nuk mund të heshtet.

“Kur një president dhe njëkohësisht komandant suprem i ushtrisë lëshon kërcënime publike me tone nxitëse të konfliktit, kjo nuk mund të quhet qëndrim personal, por politikë shtetërore e Beogradit”, – tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit kërkoi nga qytetarët e vendit që të shmangin udhëtimet drejt Serbisë, pasi institucionet kanë informacione për ndalime arbitrare në territorin e shtetit serb.

Retorika e Beogradit zyrtar u ashpërsua pas dhënies së masës së paraburgimit për Igor Popoviçin, i akuzuar se e cilësoi UÇK-në si organizatë terroriste.

Ditën e djeshme, një sasi tjetër armatimi të rëndë u kap nga Policia e Kosovës në veriun e Mitrovicës.

Pas aksionit, ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, tha se kjo është një tjetër dëshmi e përpjekjeve të Beogradit për të nxitur grupet terroriste të destabilizojnë Kosovën.

By Editor