Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe bashkëshortja e tij Brigitte Macron, kanë ndërmarrë hapa ligjorë kundër influencueses së djathtë amerikane Candace Owens, duke e paditur për shpifje në shtetin e Delaware, SHBA.
Padia vjen pas përhapjes së vazhdueshme nga Owens të një teorie akoma të pavërtetuar, sipas së cilës zonja Macron ka “lindur mashkull” me emrin Jean-Michel Trogneux, një emër që në fakt i përket vëllait të saj.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë të mërkurën, Owens ka përhapur “pretendime të pavërteta, shpifëse dhe absurde” në mënyrë të përsëritur në podcast-in e saj dhe në platformat sociale ku ndjekësit e saj arrijnë në miliona, përfshirë afro 7 milionë në platformën X (ish-Twitter). Në mars 2024, ajo deklaroi se do të vinte “bast reputacionin e saj profesional” e bindur se Brigitte Macron “është në të vërtetë mashkull”.
Në një deklaratë të publikuar nga avokatët e çiftit Macron, thuhet se ata i janë drejtuar Owens disa herë me kërkesa për tërheqje publike dhe ndjesë, por përballur me refuzimet e saj, padia ishte rruga e vetme.
“Fushata e zonjës Owens ishte qartazi e dizajnuar për të na ngacmuar, për të shkaktuar dhimbje për ne dhe familjet tona, si dhe për të tërhequr vëmendje,” thuhet në deklaratë. “I dhamë çdo mundësi të tërhiqej nga këto pretendime, por ajo refuzoi.”
Padia gjithashtu e akuzon Owens për përhapjen e pretendimeve të tjera të rreme, përfshirë atë se çifti Macron janë “të afërm në gjak” dhe se Emmanuel Macron është vendosur në pushtet nga një “komplot sekret i CIA-s”.
Candace Owens, ish-anëtare e organizatave të djathta si Turning Point USA dhe Daily Wire, aktualisht drejton podcast-in e saj të pavarur që nga viti 2024. Në përmbajtjen e saj, ajo është bërë e njohur për përhapjen e teorive të shumta konspirative, përfshirë ato që hedhin dyshime mbi vaksinat e Covid-19, Holokaustin, dhe uljen në Hënë.
Në fillim të këtij viti, ajo publikoi një seri videosh me titullin “Becoming Brigitte”.