Zjarret e fuqishme që përfshinë zonën e Delvinës, veçanërisht fshatrat Palavli, Vergo, Kopaçëz dhe Senicë, kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe kulturore. Rreth 2 000 banorë u evakuuan nga shtëpitë e tyre, ndërsa 11 banesa u dogjën plotësisht në Senicë. Një ndër humbjet më të mëdha është djegia e Kishës së “Shën Dhimitrit”, një monument i trashëgimisë kulturore që datonte nga viti 1826.

Në operacionet e shpëtimit dhe evakuimit janë angazhuar mbi 120 forca të ushtrisë, zjarrfikës dhe policisë, si dhe katër helikopterë Cougar që ndihmuan në përpjekjet ajrore për shuarjen e flakëve. Gjatë këtyre përpjekjeve, dy oficerë policie u plagosën rëndë dhe u transportuan në Tiranë për trajtim, ndërsa tre banorë të zonës patën djegie të lehta dhe probleme me frymëmarrjen.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi nga qendra e emergjencës në Delvinë se situata është përmirësuar falë ndërhyrjes intensive, por rreziku mbetet i pranishëm për shkak të terrenit të vështirë dhe erës së fortë. Ai siguroi se operacionet do të vazhdojnë deri në shuarjen e plotë të vatrave dhe se mbështetja për banorët nuk do të mungojë.

Ndërkohë, Bashkia e Delvinës kërkon shpalljen e gjendjes emergjente dhe ndihmë shtesë për përballimin e dëmeve. Autoritetet kanë nisur hetime për shkaqet e zjarrit, duke mos përjashtuar mundësinë e një zjarrvënieje të qëllimshme, pasi disa vatra u përhapën në mënyrë të njëkohshme.

By Editor