Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës, ku një kamerier 18-vjeçar është dhunuar fizikisht gjatë orarit të punës në ambientet e një lokali në zonën e Skelës. Sipas informacioneve zyrtare dhe burimeve pranë Policisë së Shtetit, dhuna është ushtruar nga Ardian Isufi, ish-shef i qarkullimit rrugor të Vlorës dhe aktualisht oficer i Policisë Kufitare në Dibër, si dhe nga një person tjetër me precedent penal, Leart Bimo.
Ngjarja ndodhi në ambientet e hotel Regina, ku kamerieri Ron Balaj, 18 vjeç, u qëllua fizikisht nga dy të rriturit pas një incidenti banal për shkak të një shisheje uji të tepërt në porosi. Pamjet e siguruara nga Report TV tregojnë momentin kur Ardian Isufi afrohet pranë banakut ku qëndron kamerieri dhe pas një bisede të shkurtër, e godet atë me shpullë në fytyrë. Menjëherë më pas, në skenë shfaqet edhe Leart Bimo, i cili e godet të riun disa herë me forcë të shtuar.
Dhuna ka ndodhur në prani të klientëve vendas dhe të huaj, të cilët, të tmerruar nga situata, kanë lënë menjëherë ambientet e lokalit. Pronari i lokalit ka ndërhyrë për të mbrojtur punonjësin e tij dhe ka ushtruar dhunë ndaj Isufit, i cili aktualisht ndodhet në spital për shkak të lëndimeve të marra.
Pas ngjarjes, viktima ka bërë kallëzim pranë Policisë së Vlorës dhe është marrë në pyetje bashkë me punonjës të tjerë të lokalit dhe dëshmitarë okularë. Në një njoftim zyrtar, policia ka bërë të ditur se Ardian Isufi është pezulluar menjëherë nga detyra dhe ka nisur një hetim të plotë mbi rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, deri në këto momente, Policia e Vlorës nuk ka dalë me një deklaratë të detajuar për incidentin, ndërsa pritet që pas hetimeve të para të ketë masa të mëtejshme ndaj personave të përfshirë në këtë akt dhune, që ka tronditur opinionin publik.