Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Pogradecit. Një grua 52-vjeçare, identifikuar si Kozeta Teco, është gjetur pa shenja jete në banesën e saj në lagjen nr. 1, e përfshirë nga flakët.

Fillimisht dyshohej se vdekja kishte ardhur si pasojë e asfiksisë nga zjarri, por hetimet e mëvonshme zbuluan një tjetër pistë. Kamerat e sigurisë pranë zonës ndihmuan policinë të identifikonte një të dyshuar dhe të rindërtonte dinamikën e krimit.

Pamjet filmike treguan se rreth orës 05:30 të mëngjesit, një person i identifikuar si Ilirjan Selmani, 37 vjeç, u pa duke dalë nga një rrugicë pranë banesës së viktimës dhe më pas hodhi diçka në një kazan plehrash. Nga hetimet rezultoi se bëhej fjalë për rrobat e tij, të cilat dyshohet se ishin djegur për të fshehur gjurmët.

Policia kriminale, pas kqyrjes fillestare të vendit të ngjarjes, është rikthyer sërish me ekspertë për të mbledhur prova të tjera. Ilirjan Selmani është shoqëruar në komisariat, ku më pas ka dhënë deklaratë për ngjarjen, duke ndihmuar në zbardhjen e detajeve.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se viktima, Kozeta Teco, kishte pasur një lidhje intime me të dyshuarin Selmani. Kjo pistë është aktualisht në qendër të hetimeve për motivin e mundshëm të krimit.

Po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur opinionin publik në Pogradec.

By Editor