52-vjeçarja, Kozeta Teço, u gjet e pajetë në banesën e saj në lagjen nr. 1 të Pogradecit, ndërsa banesa kishte marrë flakë.

Fillimisht u mendua se viktima kishte ndërruar jetë nga asfiksia, por hetimet treguan se ajo kishte shenja dhune.

Nga verifikimet e kamerave të sigurisë në zonën përreth banesës, policia identifikoi 31-vjeçarin Ilirjan Selmani si autor të mundshëm të krimit.

Pas arrestimit të Selmanit dhe veprimeve hetimore shtesë, Policia e Korçës deklaroi se ky i fundit është zyrtarisht i dyshuari kryesor për krimin.

Njoftimi i Policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhen rrethanat dhe autorësia e ngjarjes së ndodhur dje në Pogradec.

Vrau 52-vjeçaren me mjet prerës (thikë) në banesën e saj, dhe më pas i vuri zjarrin banesës – arrestohet 31-vjeçari.

Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta të kryera nga specialistët e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 28.07.2025, në lagjen nr. 1, Pogradec, e cila fillimisht u raportua si aksidentale, pasi dyshohej se 52-vjeçarja kishte humbur jetën nga asfiksia gjatë djegies së banesës së saj.

Shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve hetimore dhe këqyrjes së jashtme të trupit të pajetë, ngritën dyshime se shkaku i vdekjes nuk ishte asfiksia, pasi në trupin e viktimës u konstatuan dëmtime të dyshuara të shkaktuara me mjet prerës (thikë).

Në vijim të hetimeve të thelluara, të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Korçës dhe bazuar në pamjet filmike, u bë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit I.S., 31 vjeç, banues në Pogradec, i cili dyshohet se kishte lidhje intime me viktimën prej 3 vitesh.

Shtetasi I.S. dyshohet se ka vrarë me thikë shtetasen K.T., 52 vjeçe, i ka vënë zjarrin banesës së saj dhe është larguar nga vendi i ngjarjes rreth orës 05:00 të mëngjesit.

Në përfundim të veprimeve hetimore, është arrestuar në flagrancë shtetasi I.S., 31 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

By Editor