Shkëndija e Tetovës mposhti për të dytën herë Steuanë e Bukureshtit në kryeqytetin rumun, 1-2, duke siguruar kalimin në turin e tretë të Ligës së Kampionëve.

Tetovarët e kishin fituar edhe ndeshjen e parë në shtëpi, 1-0, ndërsa në turin e tretë do të përballen me Karabakun, kampion i Azerbajxhanit.

Kalimi i këtij turi ndaj Steuasë i siguroi Shkëndijës pjesëmarrjen direkte në fazën e grupeve në Konferencë Ligë, në rast eliminimi nga Karabaku.

Trajneri Jeton Beqiri u shfaq i përmbajtur në konferencën e shtypit pas fitores në Bukuresht, duke theksuar se të besuarit e tij do të luftojnë për pjesëmarrjen në grupet e Ligës së Kampionëve, duke mos harruar respektin dhe vlerësimin për një rival të afirmuar në Evropë sezonet e fundit, siç është Karabaku.

“Besuam te kualifikimi ndaj Steuasë dhe ja dolëm. Diferencën nuk e bëjnë paratë, por fusha e lojës. Edhe ndaj Karabakut do të japim më të mirën tonë. Është një rival shumë serioz që ka treguar vlerat e tij në garat evropiane sezonet e fundit,” – tha Beqiri.

Deri tani, Shkëndija ka arkëtuar 5 milionë euro me kalimin e dy tureve, ndërsa do të ishte ekipi i parë shqiptar pjesë e fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve nëse ia del të eliminojë Karabakun.

By Editor