Sali Berisha u paraqit sërish në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të “Dosjes Partizani”, ndërsa pas daljes nga godina nuk i kurseu, për të disatën herë, akuzat në drejtim të Altin Dumanit.
Berisha u shpreh se kreu i SPAK-ut ka fshehur provat për krimet zgjedhore, duke e cilësuar atë si mashtrues publik të rangut më të lartë.
“Unë lashë këtë shënim: Altin ‘Treoplini’, alias Dumani, është një mashtrues publik i rangut më të lartë, njësoj si Ramadura. Deklaroj se paditë e sjella në SPAK për krime elektorale u përballën me amoralitetin e plotë të mashtrimit ndaj shqiptarëve, me pretendimin se këto padi nuk kishin prova.
E garantoj se do të përgjigjet para shqiptarëve për këtë mashtrim publik dhe se komisioni, parlamenti dhe opozita do të nisin punën pikërisht me zbërthimin e këtij mashtrimi. Me këtë mashtrim publik, Altin ‘Troplini’ është kthyer në avokatin kryesor të krimit të shëmtuar elektoral, garancia më e madhe për dhunimin e çdo standardi në votimet e shqiptarëve.
Po ashtu, në një tjetër mashtrim të pacipë, ai u deklaroi shqiptarëve se Strasburgu, për çështjen Gëllçi, ishte dezinformuar. Në fakt, ai nuk u dorëzua, por u arrestua.
Në vend që të kërkojë ndjesë publike për masat represive ndaj gazetarit Gëllçi, ai mashtron sikur Strasburgu ka vendosur mbi bazën e një mashtrimi – gjë që nuk mund të ndodhë kurrë.” – tha Berisha.