TIRANË – Policia e Shtetit ka vënë në pranga Flodian Plakun, i dyshuari kryesor për ekzekutimin e Gentjan Bejtjes, ish-polic burgu dhe mik i ngushtë i Ervis Martinajt. Arrestimi i tij është kryer në një operacion të koordinuar, pamjet e të cilit janë publikuar nga autoritetet dhe tregojnë momentin e ndërhyrjes së forcave policore në dhomën ku ndodhej 42-vjeçari.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet ku qëndronte Plaku, policia ka sekuestruar dy armë zjarri tip pistoletë. Bashkë me të, është arrestuar edhe Julian Aliaj, i cili fillimisht u ndalua për “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”, ndërsa më pas është proceduar edhe për veprën penale të “Përkrahjes së autorit të krimit”.

Burime nga Prokuroria e Vlorës bëjnë me dije se çështja ndaj Aliajt po ndiqet në këtë qytet, ndërsa Flodian Plaku është transferuar në Tiranë, ku pritet të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Ai akuzohet për “vrasje me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërkohë që ndaj tij është kërkuar masa e arrestit me burg.

Sipas policisë, Plaku përdorte tre identitete të ndryshme: Florjan Serjani, Florjan Mamo dhe emrin e tij të vërtetë, Flodian Plaku. Në momentin e arrestimit, ai kishte me vete një pistoletë me një krehër të mbushur me 17 fishekë.

Ngjarja për të cilën akuzohet Plaku ndodhi më 15 mars 2024, në fshatin Larushk të Fushë-Krujës, ku u vra me armë zjarri Gentjan Bejtja. Hetuesit dyshojnë se ekzekutimi i tij lidhet me prishje të balancave kriminale të lidhura me rrjetet e trafikimit dhe të ngjarjeve të bujshme kriminale të viteve të fundit, përfshirë dhe rastin e zhdukjes së shumëpërfolur të Ervis Martinajt.

Pamjet e arrestimit tregojnë momentin kur forcat speciale ndërhyjnë me thirrje “Shpejt, shpejt… çuna!”, ndërsa në fund dëgjohet: “U kap”. Ky operacion konsiderohet si një nga goditjet më të rëndësishme ndaj grupeve të armatosura dhe individëve me rrezikshmëri të lartë në vend.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *