Nga Sebastian Zonja
Së fundmi, Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnje dhe Hercegovinës i hoqi mandatin presidentit të entitetit të Republikës Serbe Milorad Dodik. Ky hap vjen pasi gjykata e ka dënuar me vendim të formës së prerë me një vit burg si edhe ka ndaluar që ai të mbajë funksione politike për gjashtë vitet e ardhshme.
Më mbylljen e kësaj çështjeje në Banja Luka, ku Dodiku bënte presion për ndarjen e saj, vëmendja do të bjerë mbi Kosovën.
Në qendër të vëmendjes është Asociacioni.
Këtë javë, pasi i dhanë afat 30-ditor për të zgjidhur krizën politike, amerikanët dhe evropianët kanë zbritur vetë në terren. Për të treguar dhëmbët, trazuan ujërat duke ndikuar që të vendoset relator i çështjes në gjykatën Kushtetuese një gjyqtar i etnisë serbe. Një mesazh që mund të lexohet se ju mund të shkaktoni ngërçe, ne jemi këtu dhe gati për çdo skenar.
Nëpër të gjitha deklaratat e tyre ata kërkojnë qeveri të qëndrueshme, që do të thotë se duan një qeveri e cila duhet të marrë vendime të rëndësishme përgjatë mandatit të ardhshëm.
Serbia prej një viti ka bllokuar veten me protesta. Pavarësisht se akuzat e regjimit atje janë se këto protesta dirigjohen nga britanikët apo amerikanët, ka dyshime të arsyeshme se prapa tyre qëndron edhe vetë regjimi i Vuçiqit për të pezulluar jetën politike në vend, ndërsa presioni për t’u shkëputur nga Rusia dhe për të njohur Kosovën do të duhet të rritet nga aleatët perëndimorë.