Publicisti Enver Robelli shkroi në rrjetet sociale se marrëveshja e nënshkruar nga ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, me Kishën Ortodokse Serbe krijoi terrenin për rehabilitimin e figurave çetnike me të kaluar kriminale.

Statusi i Enver Robellit

Kthimi i çetnikëve në Mal të Zi

Këto ditë po shihen frytet e marrëveshjes që qeveria malazeze e drejtuar nga Dritan Abazoviçi nënshkroi me Kishën Ortodokse Serbe (KOS), e cila kësaj organizate klerikale – që shpesh merret me parapolitikë dhe nacionalizëm – i dha të drejta të veçanta në Republikën e Malit të Zi. Atëbotë u tha se me këtë marrëveshje do të shtendoseshin raportet mes Malit të Zi dhe Serbisë dhe se kisha serbe do të gëzonte të drejtat e saj në shtetin fqinj, në Mal të Zi.

Këtë të enjte, opinioni i gjerë pati rastin të shohë drejtpërdrejt pasojat e kësaj marrëveshjeje të keqe për Malin e Zi. Në fshatin Gornje Zaostro, afër qytetit të Beranes, qindra nacionalistë proserbë, të prirë nga krerët e Kishës Ortodokse Serbe, zbuluan përmendoren e komandantit famëkeq çetnik Pavle Gjurishiq. Një përpjekje e tillë kishte dështuar më 2002 dhe më 2013, kur në pushtet ishte Millo Gjukanoviçi.

Pas zbulimit të përmendores së paligjshme, policia arrestoi një 59-vjeçar, në pronën e të cilit u vendos ajo. Përmendorja u mbulua me një gëzof. Kryetari i Malit të Zi dhe kryeministri e kundërshtuan këtë akt, por, sipas mediave malazeze, nuk reagoi Andrija Mandiq, kryetar i parlamentit, i njohur për qëndrimet e tij proruse dhe proserbe.

Ligji në Mal të Zi ndalon lartësimin e fashizmit, nazizmit, shovinizmit dhe personave të dënuar për krime lufte. Por për këtë nuk shqetësohen krerët e Kishës Ortodokse Serbe. Metropoliti Metodije i Nikshiqit tha se nëse “zgjohet populli”, përmendorja e Gjurishiqit do të ngrihet edhe në Berane. Ky “kërcënim me zgjimin e popullit” është e njëjta retorikë që përdornin përkrahësit e Sllobodan Millosheviqit në prag të ndezjes së luftërave serbomëdha kundër popujve të Ballkanit, para 35 vjetësh.

Pavle Gjurishiq (1909–1945) ishte vojvodë çetnik dhe komandant i njësive çetnike në Mal të Zi, në Sanxhak dhe në Bosnjë-Hercegovinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte një nga figurat kyçe në hierarkinë çetnike nën komandën e Drazha Mihajloviqit. Në shkurt të vitit 1943, Gjurishiq i raportoi Mihajloviqit se forcat e tij kishin masakruar 8.000 civilë myslimanë – “gra, pleq dhe fëmijë”. Mizoritë e tij u kryen sidomos në Plevle, Çajniçe dhe Foçë. Për kolaboracionizmin e tij, Gjurishiq u dekorua nga komanda naziste, pra nga regjimi i Adolf Hitlerit. Metropoliti Metodije deklaroi se përmendoren do ta fusnin në kishë për ta ruajtur.

Partia e Dritan Abazoviçit doli me një komunikatë ku kërkoi të hiqet përmendorja e çetnikut Gjurishiq dhe akuzoi qeverinë e Malit të Zi se nuk ka forcë të përballet me ideologjitë profashiste. E vërteta do të ishte e plotë vetëm nëse partia e ish-kryeministrit Abazoviç do të pranonte së paku gabimin që ka bërë duke i hapur portat Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi dhe duke e bërë atë një “shtet brenda shtetit”.

Në nenin 7 të marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe (Temeljni ugovor) thuhet se autoritetet shtetërore nuk mund të ndërmarrin masa sigurie (si hyrje, kontroll etj.) në kishat dhe hapësirat përkatëse pa miratimin paraprak të organeve kishtare, përveç rasteve urgjente për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit.

Se deri ku shkon naiviteti – e me gjasë edhe dashakeqësia – e politikanëve shqiptarë u pa para pak ditësh, kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me një videomesazh të përpunuar me inteligjencë artificiale, iu drejtua në gjuhën malazeze kongresit të partisë së Abazoviçit, duke e lartësuar atë si politikan të së ardhmes, i cili, sipas tij, i paskësh lënë pas kufijtë e vjetër të politikës identitare.

Dëshmi e trashëgimisë së Abazoviçit është pikërisht kthimi i çetnikëve në Mal të Zi – jo vetëm në trajtë përmendore. Drejt ardhmërisë europiane me Pavle Gjurishiqin? Kur realiteti ujdiset me inteligjencë artificiale, rezultati nuk mund të jetë tjetër, veçse revizionizëm historik.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *