Primaret e zhvilluara nga Partia Demokratike për përcaktimin e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 14 majit përmbyllën fazën e parë. Në Tiranë, raundi i parë i votimit nuk prodhoi fitues pasi asnjë nga kandidatët në garë nuk arriti të marrë mbi 50% të votave. Rrjedhimisht, për të patur një fitues do të nevojitet një raund i dytë votimi për të cilin ende nuk ka një datë se kur do të mbahet.
Belind Këlliçi mori 4040 vota, kundrejt 2196 votave që mori Ilir Alimehmeti. Diferenca mes Këllicit dhe Alimehmetit në raundin e parë ishte e dukshme dhe Këlliçi shkon si favorit në votimet e raundit të dytë. Durrësi dhe Berati kanë tashmë kandidatët e tyre të përcaktuar që në raundin e parë. Igli Cara do të synojë fitimin e Bashkisë së Durrësit, ndërsa Zija Ismaili atë të Beratit. Shkodra dhe Elbasani diheshin paraprakisht, pasi Bardh Spahija dhe Luçiano Boçi kandidonin të vetëm në procesin zgjedhor.
Balotazh nuk do të ketë vetëm në Tiranë. Raund të dytë votimi do të ketë dhe në Mirditë, Dibër, Fushë-Krujë dhe Librazhd pasi raundi i parë nuk prodhoi fitues me mbi 50% të votave në asnjë nga këto qytete.