Mediat amerikane dhe burime pranë Kremlinit kanë konfirmuar për mediat ruse se përpjekjet e Donald Trampit për të organizuar një takim mes Volodimir Zelenskit dhe Vladimir Putinit janë drejt përfundimit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara zhvilloi një bisedë telefonike 40-minutëshe me homologun rus, ndërkohë që në Shtëpinë e Bardhë po mbahej një takim me presidentin ukrainas dhe me liderët evropianë.
Trampi u shpreh i kënaqur me ecurinë e bisedimeve me Zelenskin, duke theksuar se nevoja për kompromis është thelbësore për t’i dhënë fund luftës.
Volodimir Zelenski gjendet përpara një vendimi të vështirë, pasi nga pala ruse kërkohet tërheqja e trupave ukrainase nga Donbasi dhe heqja dorë nga pretendimet mbi Krimenë. Ai deklaroi se këto çështje do të diskutohen me institucionet dhe faktorët vendimmarrës në Ukrainë.
Një tjetër kusht i vendosur nga Rusia është që Ukraina të mbetet jashtë NATO-s.
Sipas Trampit, Ukrainës mund t’i rikthehen disa territore në formë kompensimi, ndërsa Shtetet e Bashkuara, në bashkëpunim me partnerët evropianë, do të ofrojnë garanci konkrete për mbrojtjen e integritetit territorial të saj pas arritjes së një marrëveshjeje.