Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se pandëshkueshmëria në vend do të marrë fund shumë shpejt duke iu referuar situatës së rëndë të krijuar pas krimit makabër të vrasjes së një gruaje shtatëzënë nga ish-bashkëshorti i saj. “Asnjë mosveprim nuk do të kalojë i pandëshkuar. Dua që këtë fjali ta dëgjojnë dhe ta kuptojnë mirë të gjithë ata që kërcënojnë e abuzojnë me gratë e tyre, ata që këto veprime i justifikojnë dhe ata që nuk i trajtojnë siç duhet apo i harrojnë mbi arsyetimin e punëve të grumbulluara. As edhe një më shumë.”- tha Kurti në takimin e Këshilli për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.
Kurti u tregua dhe më i drejtpërdrejtë kur theksoi se Prokuroria dhe gjyqësori në Kosovë sot janë kthyer në referenca të padrejtësisë dhe jo në ofrues drejtësie siç e përcaktojnë ligjet e shtetit. Ai theksoi se pasiviteti dhe mosveprimet e drejtësisë në Kosovë kanë inkurajuar krimet ndaj grave të cilat tronditën opinionin publik.
“Prokuroria pasive dhe gjyqësori joefikas janë ndër shkaqet kryesore të këtij realiteti ku vrasja e grave është veçse lajm që përsëritet dhe nuk mbetet aktual mbi dy ditë. Sistemi i padrejtësisë që reagon me shpejtësi e efikasitet kur bëhet fjalë për përfitimin e tyre individual, nuk i shërben këtij shteti dhe kësaj shoqërie. Mungesa e profesionalizmit që shpërfaqet në vendime të anuara e të motivuara, vonesa të paarsyetuara për shkak të mungesës së mekanizmave të llogaridhënies, politizim i sistemit gjyqësor që u bë haptazi nga qeveritë e kaluara, prodhojnë viktima; prodhojnë dhunues; prodhojnë abuzues; dhe përçojnë mesazhin se gjithçka tjetër, përfshirë vënien e drejtësisë, vjen në trajtim pas ngopjes dhe përmbushjes së interesave personale.”- shtoi Kurti.