Nga Milaim Nela
Rasti i vdekjes së papritur të Artur Zhejit nxjerr edhe njëherë në sipërfaqe problemet potenciale të shëndetësisë shqiptare. Të gjithë po merren me ngushëllime dhe po shprehin keqardhje, por unë dua të trajtoj sërish anën që njoh më mirë dhe për të cilën jam i kualifikuar: ndihmën mjekësore.
Po, arresti kardiak mund të ketë pasoja fatale, sidomos në kohët e sotme, kur mbipesha, ushqimi i tepërt dhe mungesa e aktivitetit fizik janë faktorë që rrisin rrezikun çdo ditë.
Pyetja që shtroj unë sot, pas 25 vitesh në shekullin e ri në Shqipëri, është:
A jepet ndihma e parë në kohë për të shpëtuar jetën që potencialisht mund të shpëtohet?
A janë ambulancat e urgjencës të pajisura me personel të kualifikuar, defibrilatorë dhe medikamente të nevojshme për raste të tilla?
A liçensohen restorantet dhe hotelet pa personel të trajnuar për dhënien e ndihmës së parë?
Sa kohë pas ngjarjes arriti ndihma mjekësore në rastin e Z. Zhejit?
Në zonat turistike, a funksionon shërbimi i kualifikuar mjekësor për dhënien e ndihmës së parë, në kohë dhe sipas standardeve të njohura ndërkombëtare?
Turizmi elitar, para së gjithash, do të thotë shërbim shëndetësor elitar në zonat ku pretendohet një turizëm i tillë. Në Europë, para së gjithash, njerëzit udhëtojnë me shëndetësi bashkëkohore dhe jo me yje të instaluara në fasadat e hoteleve.