Nga Ermal Mulosmani

Një ndër fenomenet më negative të medias së lirë është mbipopullimi i saj me gazetarë të vetëquajtur “hulumtues”.

Të veshur me këtë emër zhurmëmadh mbi shpinë dhe të armatosur me “interesin publik” në brez, shumica e tyre janë veç banditë me maskë që terrorizojnë njerëz.

Kushti i parë për t’u pranuar në “bandën me maska” është mungesa e plotë e përpikërisë profesionale. Profesionalizmi dhe e vërteta braktisen të parat, njësoj siç braktis kujtimet e fëmijërisë dhe pastërtinë një prostitutë te dera e hyrjes së një shtëpie publike.

Në jetën e re të banditëve mediatikë nuk ka vend për ndjeshmëri si “e vërteta” apo broçkulla si “skrupuj moralë”. Këto janë marrëzira “të botës së atyre”. (nënkupto: viktimave)

Banditët e mediave urrejnë librat. Maksimumi lexojnë ndonjë roman policor që u ndez fantazinë ose ritregojnë bëmat e mafiozëve shqiptarë të kohëve të fundit. Legjendat e tyre, “ekspertiza” e tyre e vyer në artin e shtrëngimit ndaj biznesit, janë frymëzuese për ta.

Idhujt e tyre janë Vis Martinaj, Shullazi, Dajti, Sueli etj. Montanelin e dinë si aktor filmash ose, me pak fjalë, “një të botës së atyre”…

Banditët e medias kanë manualin e tyre të pafytyrësisë. Njëri prej tyre, një injorant i shkallës së parë, aftësia e të cilit për të ndërtuar fjali me më shumë se pesë fjalë pa gabime drejtshkrimore është krejt e dyshimtë, u kap dy vite më parë, me figurë dhe zë, duke shpjeguar manualin e tij të gjobëvënies.

Banditi ishte joshur nga një vajzë e re dhe kishte rënë pre si dhelpra në çark. Ai i shpjegonte “aspirantes” për gjobëvënëse sesi duhet të veprojë për të kapur prenë e saj. Grabitqari u bë për turp! Kështu kujtuan viktimat e tij.

Por, siç ju thashë më lart, banditi mediatik dhe skrupujt moralë apo profesionalë janë dy botë paralele. Ai sot është edhe më i uritur, edhe më gjakatar, edhe më injorant seç ishte.

Ditën punon në një media të njohur dhe natën armatoset e del poshtë urës me portalin e tij “Banditi me Maskë”. Mendimet e tij të ndotura shiten në tregun e mediave sikur të ishin analiza të mirëfillta hulumtuese.

Një tjetër bandit doli në përgjimet e mafiozëve më të rrezikshëm të Shqipërisë me përshkrimin: “Ky për para… shet edhe nënën e vet”. Por me siguri ishte një teprim. Tani ai është sërish i pranishëm me mendimet e tij të vyera për sportin, politikën, teatrin dhe gjeopolitikën.

Siç thotë ajo kënga e Kryeministrit: “Gjithçka mund të ndodhë/ Jetojmë në Tiranë”.

Ky është fundi i medias. Nëse një media cilësore i pranon në radhët e veta elementë të tillë, i promovon, i ushqen, i lavdëron, atëherë bën në fakt dëmin më të madh ndaj vetvetes. Askush nuk ka aq zell sot të ndajë grurin nga kashta.

E gjithë media bëhet kashtë.

Në kërkim të klikimeve, titujve tronditës, thashethemeve dhe pafytyrësisë, gazetarët e emisioneve televizive të pafundme i bëjnë pjesë të tyre këta banditë. Në atë çast ata bëhen bashkëfajtorë.

Sapo mbaron emisioni i darkës, banditi del poshtë Urës së Mifolit a Kthesës së Shkopetit. Ka me vete dy armë:

urrejtjen popullore ndaj biznesit dhe politikës, një të vërtetë a thashethem të nxjerrë nga konteksti.

Këto i përzien me një erëmim thashethemesh, ku të shpikura e ku ekzistuese, dhe ja, u bë kokteji molotov. Ndizet fitili me çakmakun e “cënimit të interesit publik” dhe në mëngjes ndodh shpërthimi.

Por, kujdes, lihet diçka pa thënë. Është paralajmërim. Në nëntekst diku lexohet se ekzistojnë fakte të reja që do të dalin në ditët e ardhshme…

Del viktima në punë pas një gjumi të rënduar. Njeri i ndershëm dhe i sedërt, që punon nga mëngjesi deri në darkë dhe mezi e zë gjumi nga hallet e biznesit. Fjala vjen është sipërmarrës bujqësor a blegtoral.

Ka 30 vjet punë në rritjen e biznesit të tij dhe ka krijuar një emër. Pasojat e asaj pune, kohë pas kohe, i kanë lënë shenjë në shëndet: zemra e dobësuar, tensioni i lartë. Do vetëm të shijojë ato vite që i kanë mbetur në paqe. Emri i tij është i shenjtë, e ka ngritur me mund e djersë.

Kur zgjohet një mëngjes, lexon se Banditi me Maskë i ka vënë gjobën:

“Lufra dhe Erzeni kanë shitur qumësht kancerogjen”.

Kur e lexon këtë titull, mendon se menjëherë Prokuroria do të arrestojë drejtuesit e kompanive ose autorin e shkrimit për titullin terrorist. Por asgjë nuk ndodh.

Kërkon procesverbalin e AKU-së, por nuk është. Është një thashethem diku, se qumështi i Lufrës ka përmbajtje të lartë aflatoksine!

Siç thamë më lart, e vërteta e pastër është një tekë e ekzagjeruar nga lexuesit. Për më tepër, ajo nuk është kurrë në favor të gjobëvënësve, ndaj ngjyroset me thashetheme.

Ja një shembull tjetër:

Portali “Banditi me Maskë” çon një thashethem te një faqe Facebook-u anonime por e njohur si “Lolita”. U thotë atyre: publikojeni ju dhe e marr unë nga ju lajmin. Ja çfarë thotë lajmi:

Mashtrimi: “Lufra reklamon lopën por nuk ka stallë lopësh”!

Çfarë gallate! Të citosh një thashethem në Facebook për të bërë një lajm! Futu brenda lajmit: asgjë! Një bosh i madh!

Por pronari i Lufrës, sigurisht nuk e përjeton kaq qetësisht sa ne, lexuesit që nuk i besojmë. Ai sheh që lajmi ka marrë mijëra pëlqime dhe qindra shpërndarje, dhe terrorizohet. Tensioni i shkon në kulm dhe kushedi si e ka pësuar nga karremi i terroristit mediatik…

Shko te sallamet. EHW, Hako apo cilido tjetër. Tituj tronditës, terrorizues:

“Një punëtor dëshmon se në përmbajtje të sallamit ka kocka dhe lëkurë”.

E njëjta dorë terrorizuese, i njëjti stil. Përzierje thashethemesh me fantazi për të prodhuar terror. Dhe viktima që terrorizohen.

Kjo nuk është gazetari. Këta nuk janë gazetarë, janë terroristë mediatikë. Sa më shpejt të demaskohen, sa më shpejt gazetaria të ndahet nga “Banditi me Maskë”, aq më shpejt do të shpëtojë nderi i saj.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *