TIRANË – Adriatik Lapaj, kryetar i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, ka reaguar pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor që i dha mandatin zonjës Ana Dajko dhe jo Kleana Xhuvelit, pavarësisht vendimit fillestar të KQZ-së. Në një intervistë për News24, Lapaj shprehu zhgënjimin e tij dhe u shpreh se ndihet i tradhtuar nga partneri i koalicionit, Endri Shabani.
“E kam pasur mik prej 12 vitesh. Ka ngrënë bukë në shtëpinë time, nuk e prisja që mund të ndodhte kjo nga një shok dhe mik,” tha Lapaj. Ai shtoi se e gjithë struktura politike duket se veproi kundër tij që të mos shkojë në Parlament.
Kreu i koalicionit theksoi se marrëveshja e tyre nuk ishte për një mandat personal, por për të hapur garën dhe për të dhënë mundësi qytetarëve të vendosin përmes listave të hapura. “Nëse do të doja të isha në Parlament, do e kisha të thjeshtë, sepse kam firmosur listën. Por ne kemi dashur të hapim garën dhe të bëjmë marrëveshjen për qytetarët,” deklaroi Lapaj.
Ai theksoi gjithashtu se koalicioni që ai drejton nuk do të përfshihet në pazaret politike dhe do të qëndrojë besnik ndaj parimeve të tij dhe qytetarëve që i kanë dhënë mbështetje. “Beteja jonë nuk do të jetë në Parlament. Dajko është zonjë e nderuar, por për ne beteja do të jetë në rrugët e atdheut, me qytetarët që duan të përfaqësohen,” shtoi Lapaj.
Lapaj kritikoi ligjin elektoral aktual dhe praktikën e pazareve politike, duke theksuar se mbi 80 mijë qytetarë që kanë votuar për koalicionin nuk po përfaqësohen siç duhet. “Kodi Zgjedhor do të ndryshojë në Shqipëri. Politika shqiptare na ka borxh 7 mandate. Njerëzit e dinë të vërtetën,” u shpreh ai.