Novi Sadi u përfshi nga tensione të mëdha pas protestës së djeshme, ku mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kërkuar zgjedhje të parakohshme. Tubimi, i cili fillimisht ishte i qetë, degjeneroi në dhunë sapo turma mbërriti para Fakultetit të Filozofisë, ku prej dhjetë ditësh janë të dislokuara forcat policore.
Qytetarët akuzojnë policinë se provokoi përplasjet, ndërsa autoritetet serbe këmbëngulin se policët u sulmuan pa shkak. Nga përleshjet mbetën të plagosur disa persona dhe u raportuan disa arrestime.
Pas përfundimit të fjalimeve, Ministria e Brendshme deklaroi se kishte marrë informacion për një plan për të sulmuar stacionin e policisë. Përplasjet nuk kursyen as përfaqësuesit e mediave, të cilët u goditën dhe u rrëzuan përtokë nga forcat e rendit.
Presidenti Aleksandar Vuçiç reagoi duke thënë se në Novi Sad u tentua destabilizimi i Serbisë dhe përgëzoi policinë për “mbrojtjen e rendit publik”. Ai pohoi se në protestë morën pjesë rreth 7 mijë persona.
“Sot në Novi Sad, në praninë e eurodeputetëve, një grup njerëzish me helmeta u përpoqën të pushtonin Fakultetin e Filozofisë dhe të rrezikonin sigurinë e vendit”, tha Vuçiç.
Tensionet vazhduan deri pas mesnate, veçanërisht pranë ndërtesës së Rektoratit, ku shumë protestues kërkuan strehim për t’i shpëtuar ndërhyrjeve të dhunshme të policisë.